Pas vendimit të Qeverisë për zbatimin e reciprociteti për dokumente dhe targa me Serbinë, qytetarët serb dje kanë bllokuar me kamionë pikëkalimin në Jarinjë dhe Bërnjak si shenjë revolte ndaj këtij vendimi.
Por, Qeveria e Kosovës ka vendosur ditën e djeshme që ta shtyjë këtë vendim karshi Serbisë për një muaj.
Vendimi i ekzekutivit vjen pas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në takimin që Kurti e Osmani patën mbrëmë me të.
Ky vendim për shtyrjen e reciprocitetit, sipas ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj po vie pas një mos koordinimi me SHBA-të.
Ai thotë se për parandalimin e përshkallëzimit të situatës në veri, Qeveria duhet të konsultohet me partnerët strategjikë.
“Vendimi i Qeverisë ka qenë pa koordinimin e partnerëve tanë strategjikë, Qeveria duhet të konsultohet sidomos me SHBA-të që mos të vijmë në këtë lloj të situatës e pastaj të shtyhet data e të përdorët policia dhe pastaj të ju hupë edhe autoriteti”, tha ai.
Qalaj shpreson që nuk do të ketë probleme nga serbët pas datës 1 shtator për reciprocitetin e targave dhe dokumenteve.
“Qeveria duhet në bashkëpunim me SHBA-në të bindë Serbinë që këto masa do të zbatohet dhe unë shpresoj që nuk do të ketë probleme pas datës 1 shtator”, u shpreh Qalaj.
Ndryshe, sot në një konferencë për media kryeministri Kurti tha se “dhuna nuk do të tolerohet”, ndërsa njoftoi paraprakisht se ka pasur nëntë barrikada dhe njerëz të armatosur që kanë ndaluar automjete e këmbësorë dje në veri të Mitrovicës