Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas heqjes së barrikadave nga serbët lokalë, tashmë janë hapur për qarkullim vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.
“Pas largimit të barrikadave dhe lirimit të rrugëve për qarkullim, tani të dy pikë kalimet kufitare janë hapur për qarkullim dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe mallrave”, thuhet në një postim të PK-së në Facebook.
Policia e Kosovës me njësitet policore, do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore konform procedurave të parapara ligjore, në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime.
Serbët e veriut dje bllokuan rrugët në veri në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së masës së reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga shteti i Serbisë. Ata gjatë ditës së sotme kanë larguar të gjitha barrikadat.