Haliti acarohet nga veprimet e pushtetit: Pse i sollët këta dy persona?

Aktuale

Haliti acarohet nga veprimet e pushtetit: Pse i sollët këta dy persona?

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 11:48
Pamje nga Komisioni për Punë të Jashtm

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar delegimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në mbledhjen e komisionit të martën.

Haliti ka pyetur kryetarin e komisionit, Haki Abazin, lidhur me pjesëmarrjen e dy të deleguarve të qeverisë në mbledhjen e sotme në të cilën po shqyrtohej Projektligji për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara.

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk pranon ta shqyrtojë projektligjin me “teknicientë” të deleguar nga zyrtarë të ministrisë.

“Ne mund ta shqyrtojmë ligjin, mund ta amendamentojmë por ne nuk jemi komision teknik i qeverisë. Ne jemi kontroll e qeverisë. Unë nuk pranoj me bisedu me teknicient, sepse ata janë për përpunimin e ligjeve që ua dërgon ministri, i cili e procedon në qeveri. Nuk e kuptoj pse jemi bërë bashkë me këta persona, të cilët nuk e kanë vendin në komision. Unë nuk e di se si kanë me punu deputetët me disa persona që nuk kanë përgjegjësi politike”, u shpreh Haliti.

Haliti ka deklaruar se “kjo është praktikë parlamentare e cila nuk ndodh kurrkund”, përveç se në Kosovë.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e komisionit, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka deklaruar se pjesëmarrja në komision e dy zyrtarëve të deleguar nga ministri është “praktikë e zakonshme” parlamentare.

“Ne në komisionin për mjedis i kemi trajtu deri në 30 projektligje, ku kemi pasur përfaqësues të qeverisë dhe grupe punuese, mirëpo zyrtarët të cilët janë delegu nga ministritë kanë qenë kompetent për ligjet të cilat janë trajtu”, ka thënë ajo.

Haliti, megjithatë nuk është pajtuar që të shqyrtojë projektligjin me dy zyrtarët e ministrisë brenda mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat