Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gji dhënies.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Tinka Kurti ka njoftuar se Kryetari i Kuvendit ka miratuar kërkesën e saj për këtë çështje.
“🤱 Kuvendi është institucioni i parë që do të ketë dhomën e gji dhënies. Këtë kërkesë e kam bërë si Kryetare e GGD-së pas tryezës që kishim mbajtur me këtë temë. Jam fort e lumtur që Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari e kanë aprovuar dhe kjo tashmë është duke u realizuar. Deputetet dhe të punësuarat e Kuvendit të cilat kanë nevojë t'i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht gjiri do ta kenë së shpejti këtë hapësirë të veçantë e cila po bëhet sipas rekomandive të OBSH-së. Tjetër rekomandim i kësaj organizate është edhe hartimi i politikave përkrahëse, zbatimi i tyre por edhe promovimi nga politikanet e politikanët”, ka shkruar Kurti në një postim në Faceboook.
Kurti ka thënë se një kërkesë e tillë do t'u dërgohet institucioneve të tjera publike.
“Madje inkurajohen edhe ato private. Shpresojmë se dhoma brenda Kuvendit do të jetë modeli që përhapet shpejt.
Kjo është e rëndësishme për të drejtat e grave në punë. Është e rëndësishme për mirëqenien e grave gji dhënëse e të punësuara dhe nganjëherë jetike për fëmijën.
Gji dhënia është mirëqenie. Gji dhënia është politike. 🤱”, ka përfunduar ajo.