Ambasadori gjerman në vendin tonë, Jorn Rohde, deklaroi se vendimet qeveritare për reciprocitet me letërnjoftime dhe konvertim të targave janë plotësisht legjitime dhe në përputhje me marrëveshjet e Brukselit.
Ai bëri një postim në Twitter për takimin që pati gjatë ditës me presidenten Vjosa Osmani ku tha se pjesë e bisedës ishte edhe të dy vendimet që ngjallën tensione në veri të vendit.
“Kënaqësi të takoja sot presidenten Vjosa Osmani dhe të diskutonim zhvillimet aktuale, përfshirë vendimin për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse për datën 1 shtator në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Theksova se vendimet janë legjitime dhe plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit”, shkroi ambasadori.
Në njoftimin e Presidencës, për të njëjtin takim, Osmani u citua të ketë thënë se në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.
Sipas presidentes Osmani, Kosova është gjithnjë e gatshme që të ndërmarrë hapa, të cilët kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit.
Po ashtu, Osmani ka potencuar se është më rëndësi t’i dërgohen mesazhe të qarta Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar se nuk do të tolerohet retorika e saj nxitëse dhe veprimet e saj të dhunshme nëpërmjet strukturave ilegale në veri të Kosovës.