Trajkoviq: Aleanca Vuçiq-Rama-Abazoviq duan copëtimin e Malit të Zi

Aktuale

Trajkoviq: Aleanca Vuçiq-Rama-Abazoviq duan copëtimin e Malit të Zi

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 06:27
Rada Trajkoviq

Atë që e ka thënë ditë më parë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” e ka thënë edhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, tani kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, ka thënë se aleanca Vuçiq-Rama-Abazoviq kanë për qëllim copëtimin e Malit të Zi.

“Qëllimi i aleancës Vuçiq-Rama-Abazoviq nuk është futja e Malit të Zi në Ballkanin e Hapur, por copëtimi i saj”, ka shkruar Trajkoviq, në një postim në Twitter.

Ditë më parë vetë presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se projekti “Ballkani i Hapur” është “shumë kontrovers”, sepse është një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.

Madje ai ka vlerësuar se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe me ndonjë gjenocid”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat