Deklarata e Stoltenberg ishte ‘sinjal i fortë’ për Serbinë

Aktuale

Deklarata e Stoltenberg ishte ‘sinjal i fortë’ për Serbinë

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 08:04
Jens Stoltenberg

Për ligjëruesin e paqes dhe konfliktit në universitetin “Dublin City”, Gëzim Visoka, deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) Jens Stoltenberg, se “NATO është e gatshme të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë”, e thënë në një telefonatë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, është bërë për t’i përçuar një mesazh të fortë Serbisë, se NATO është autoriteti suprem për sa i përket sigurisë dhe paqes në Kosovë, dhe se e njëjta nuk do të tolerojë eskalimin e situatës në rrethanat gjeopolilitke në të cilën gjendet globi sot, pas agresionit rus në Ukrainë.

Telefonata në fjalë erdhi në kontekstin e përshkallëzimit të situatës në Veriun e Kosovës pasi Qeveria e Kosovës nisi implementimin e masës për çështjen e targave për serbët në Veri dhe reciprocitetit me dokumentet e identifikimit.

“Mendoj se kësaj radhe NATO është e vetëdijshme se Serbia dhe strukturat paralele në Veri janë të interesuara për t’a destabilizuar Kosovën dhe kjo deklaratë shprehimore është sinjal se kërcënimet e tilla duhet të marrin fund”, ka thënë Visoka

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni, pasi sipas tij, një deklaratë e tillë nga Stoltenberg ka qenë e qartë dhe sidomos e mirëpritur marrë për bazë fragjilitetin e Veriut të Kosovës.

“Është një përkujtim për të gjithë ata që mund ta kenë harruar se KFOR-i i udhëhequr nga NATO ka mandat nga OKB dhe njëkohësisht përgjegjësi për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në të gjithë territorin e Kosovës, përfshi Veriun e saj”, ka thënë Shtuni

Kurse, sipas profesorit Visoka, e gjithë situata e krijuar në Veriun e Kosovës, ka pasur për qëllim dy aspekte: e para krijimi i një situate kaotike ku nga këtu do të përfitonin poena politike liderët e të dy vendeve dhe dy gjetjen e një arsyeje për t’u ulur përsëri në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Tani duket që këto kërcënime kanë qenë të karakterit të eskalimit të situatës për konsum populist vendor dhe arsyetim të pjesëmarrjes në dialogun e udhëhequr nga BE-ja”, ka shtuar ai.

Nuk është hera e parë kur Jens Stoltenberg ka telefonuar dy liderët, Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in, por e para herë kur Stoltenberg i thotë haptazi këtij të fundit se NATO është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë.

E sipas Shtunit arsyeja e ashpërsisë së deklaratës së Stoltenberg në raport me Serbinë qëndron në faktin se dinamikat gjeopolitike në botë kanë ndryshuar thellësisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

“Besoj Stoltenberg e pa të arsyeshme të ishte më eksplicit kësaj here krahasimisht me shtatorin e 2021-tës pasi dinamikat gjeopolitike kane ndryshuar. Pra mesazhi i tij se NATO është e gatshme të ndërhyjë ne Veri duhet të lexohet në kontekstin e konfliktit në Ukrainë kur nervat janë të tendosura dhe mundësia e provokimeve të eskalojnë në përplasje të dhunshme është më e lartë”, ka shpjeguar ai.

Jens Stoltenberg më 26 shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të ulnin tensionet në Veri të Kosovës, pasi më 20 shtator të po këtij viti Qeveria e Kosovës pati filluar zbatimin e një vendimi ku automjetet nga Serbia që hynin në Kosovë, duhet të largonin targat dhe të përdornin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Ndonëse një gjë e tillë pati tensionuar situatën jashtë mase dhe për më shumë se 1 javë dy rrugët që të çonin në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak kishin mbetur të bllokuara, Stoltenberg nuk pati përmendur për mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s.

Mesazhi i tij drejtuar dy liderëve kishte një karakter më neutral dhe i ftonte këta të fundit që problemet e tyre t’i zgjidhnin përmes dialogut.

“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës. Është vitale që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR-it mbetet që të sigurohet që të ketë ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë”, kishte shkruar në Twitter, Stoltenberg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat