Nisma për tërheqjen e Trustit, ka mbetur peng tash e një kohë të gjatë. Pas një tentimi të dështuar iniciatorët e tij nuk u dorëzuan për ta provuar edhe njëherë nëse deputetët do të ndërrojnë mendje dhe të votojnë pro tij.
U ndoqën të gjitha rrugët procedurale që kërkohen për dërgimin e kësaj nisme në Kuvendin e Kosovës, dhe tashmë edhe instanca e fundit i dha ‘dritën jeshile’.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë verfikimin e nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës, të cilët përmes tyre po kërkojnë nismë ligjore në Kuvendin e Kosovës për tërheqjen e një shume të parave nga Trusti.
Këtë e ka konfirmuar vet zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka verifikuar listën e nënshkrimeve në raport me listën e fundit të votuesve, e cila i takon Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit 2021 dhe të cilën e posedon KQZ-ja. Pas procesit të verifikimit të listës së nënshkrimeve të peticionit, rezulton se 17,197 nënshkrues të peticionit janë qytetarë me të drejtë vote të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.