Aksioni i Policisë në Han të Elezit: Këta janë dy vëllezërit që u kapën me laborator droge

Aktuale

Aksioni i Policisë në Han të Elezit: Këta janë dy vëllezërit që u kapën me laborator droge

Më: 5 gusht 2022 Në ora: 14:42
Ilustrim

Sot u raportua për një aksion kundër drogës që zhvilloi Policia e Kosovës mbrëmë në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, ku në një depo është zbuluar një laborator i improvizuar në të cilin kultivoheshin bimë të dyshuara narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Aksioni rezultoi me arrestimin e dy personave, të cilëve iu shqiptua masa e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se dy personat që ranë në prangat e Policisë janë vëllezërit A.B. 26-vjeçar dhe A.M. 19-vjeçar.

Ata u arrestuan mbrëmë në vendin e ngjarjes, ku po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar rreth 30 bimë të dyshuara narkotike të llojit Kanabis Sativa dhe një sërë gjësende tjera që nevojiteshin për kultivimin e drogës, përfshirë një armë zjarri, para të gatshme e telefona celularë.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal së bashku me gjësendet e sekuestruara gjatë bastisjes.

Ndaj tyre kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton sinjali. Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat