Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka marrë pjesë në ceremoninë e emërimit në detyrën e shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, gjeneral brigade Arben Kingji.
Mehaj, përmes një statusi në facebook, u shpreh i bindur që Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të shënojnë arritje të larta nën drejtimin profesional të shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji.
“Sot me ftesën e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, mora pjesë në ceremoninë e emërimit në detyrën e shefit të ri të Shtabit të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Arben Kingji. Duke e njohur mirë përgatitjen e tij, gatishmërinë dhe vullnetin për t’i shërbyer atdheut, jam i bindur që Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë do të shënojnë arritje të larta nën drejtimin e tij profesional, me integritet dhe dinjitet, e cila do të rezultojë me përmbushjen e misionit për garantimin e sigurisë kombëtare”.
“Nga ana ime, e sigurova Kingjin që do të ketë bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke punuar si një trup i vetëm në mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare si dhe sigurinë e stabilitetin rajonal, orientimin tonë në mbështetje të misioneve të NATO-së, në partneritet të plotë me ShBA-në dhe BE-në”, ka shkruar tutje ai.