Deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar dje një draft-rezolutë në organin ligjvënës ku bëhet thirrje që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Deputeti Goncharenko ka bërë publike iniciativën e tij në rrjetin social Twitter, duke shkruar se shpreson që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur.
Për këtë ka shkruar ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, i cili tha se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tashmë populli ukrainas i njeh cilët janë miqtë e vërtetë meqë deri tash kanë ruajtur lidhjet miqësore me serbët.
“Iniciativë e rëndësishme nga deputetët ukrainas, duke bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Prej vitesh, Ukraina ka refuzuar të njohë Kosovën, duke ruajtur lidhje miqësore me Serbinë. Pas pushtimit gjenocidal rus, Ukraina e di se cilët janë miqtë e vërtetë. Sigurisht që jo apologjetët e Putinit”, ka shkruar Selimi.