Kosova e ka shpallur person të padëshirueshëm gazetares ruse Daria Asmalova, e cila u arrestua dje në territorin e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se Daria Aslamovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vite, për shkak të qëllimeve për tentim të destabilizimit të vendit tonë.
"Si Ministër i Punëve të Brendshme, brenda kompetencave të mia ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj, nenet 17 dhe 66A, kam shpallur person të padëshirueshëm në Republikën e Kosovës Daria Asmalovan. Hyrja e këtij personi është e ndaluar për pesë vite në territorin e Republikës së Kosovës.
Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cënon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës", ka shkruar ministri në Facebook.
Sveçla dje ka njoftuar se në pikëkalimin kufitar u ndalua Asmalova, për të cilën shumë shtete kanë thënë se është e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar nën petkun e gazetares./BS