Eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka thënë se tensionet e fundit në veri të Kosovës me Serbinë, nuk ishin befasi.
Ai ka thënë se serbët e Kosovës gjithmonë kanë tendencë për të sfiduar institucionet e Kosovës.
“Ajo që ka ndodhur në veri të Kosovës nuk është befasuese. Gjithmonë ka pasur një tendencë në mesin e kosovarëve serbë për të sfiduar qeverinë”, ka thënë Ben-Meir, në një postim në Facebook, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti, për shtyrjen e masës së reciprocitetit për një muaj, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut.
“Tani që bllokadat e rrugëve janë hequr dhe kryeministri Kurti ka pezulluar kërkesën e tij për reciprocitet për një muaj, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të negociojnë një zgjidhje më të përhershme përmes dialogut, të sponsorizuar nga BE-ja”, ka shtuar ai.
Qeveria e Kosovës, ka shtyrë zbatimin e dy vendimeve për dokumentet dhe targat serbe, që çuan në bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë gjatë vikendit.
Sipas kërkesës së SHBA-së, vendimet do të fillojnë të zbatohen nga data 1 shtator./Botasot