Ekspertët e sigurisë, Hajrullah Tërnava dhe Nuredin Ibishi kanë deklaruar se Kosova nuk kërcënohet nga lufta, por sipas tyre krerët e shtetit tonë nuk duhet të cungohen në deklaratat ndaj rreziqeve të mundshme që vijnë nga Serbia apo agjenturat ruse.
“Me vetë faktin që Kurti është kryeministër i vendit dhe udhëheq politikat e Kosovës ai duhet të jetë në hap me kohën dhe t’i parashoh gjërat më herët dhe ta ngrisë vetëdijesimin e strukturave ndërkombëtare. Ne nuk duhet të merremi tash nëse dikë e ka rrokur paniku pse kryeministri ka thënë ashtu. Ai është kryeministër dhe duhet ta ngrisë atë vetëdije sa s'është bërë vonë. Mendoj se nuk është diçka e tepërt. Nëse ishte bërë më e keqja dhe do të ndërhynte NATO-ja do të thoshim ku ishe pse nuk reagove më herët”, ka theksuar Tërnava.
Ai ka thënë se tek të gjitha institucionet e shtetit vetëdijesimi duhet të jetë në nivel.
“Të gjithë ne duhet ta ngrisim vetëdijen tonë sepse ai konflikt po zgjat që 22 vjet, sidomos tani kur është një luftë permanente Rusi-Ukrainë. Sidoqoftë, ne nuk rrezikohemi nga lufta, sepse po të rrezikoheshim vjen deri te Lufta e Tretë Botërore. Mundet me pas konflikte sa më tërheq vëmendjen edhe në bisedimet e Brukselit, që Serbia të mund të shkëpusë një pjesë të veriut”, ka shtuar Tërnava.
Ai tutje tha se Serbia e ka të qartë se garancat e territorit të Kosovës i ka KFOR-i dhe NATO-ja dhe e di fare mirë se çfarë e ka gjetur në vitin 1999.Në anën tjetër, Nuredin Ibishi, ka thënë se nuk dëshiron ta interpretojë deklaratën e kryeministrit Kurti, por mendon se në aspektin e sigurisë Serbia nuk mund të nisë një luftë në Kosovë.
“Ajo (Serbia) çdo herë pretendon, duke e zgjuar ekstremin e saj këtu brenda, që të krijojë viktima. Brenda pak minutash ta mobilizosh gjithë atë masë dhe të krijosh barrikada është një formë organizimi. Ata veprojnë në mënyrë shumë të sinkronizuar. Ne po themi se politikanët tanë duhet të jenë më të matur në aspektin e deklarimeve publike e politike. Por, pse të mos deklaron kryeministri që është rreziku për luftë. Vuçiqi po thotë se kemi qenë para një rreziku më të madhit ndonjëherë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ai e ka përdor këtë retorikë non-stop”, ka thënë Ibishi.
Ai tutje theksoi se pikërisht Vuçiqi i thirri ekstremistët në veri së bashku me Listën Serbe, i mobilizojë dhe i udhëzojë si të veprojnë.
“Prandaj, nuk duhet t’ia zëmë për të madhe kryeministrit kur flet në një nivel të tillë, sepse ne çdo herë kemi qenë të heshtur, sidomos tani në një situatë kur po shihet një interferim i rusëve që po e mbështesin Vuçiqin dhe po duan me çdo kusht që me shtrirjen e zbatimit të ligjit në veri të krijojnë ndonjë viktimë, me qëllim që para ndërkombëtarëve të thonë se ja çfarë po bëhet ndaj serbëve. Strategjia serbe është që në çdo ndërmarrje policore në veri t’i aktivizojë forcat ekstreme, me qëllim që të krijojë viktima dhe t’i përjashtojë operacionet e policisë në veri”, ka nënvizuar Ibishi, sipas të cilit në Kosovë nuk do të ketë luftë.Sopjani: Deklarata e kryeministrit Kurti e pamenduar
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës, Shkëlzen Sopjani e ka vlerësuar si të ngutshme dhe të pavend deklaratën e kryeministrit Kurti se Kosova kërcënohet nga lufta, ngase pas Serbisë qëndron Putini.
“Nuk është sekrete që shërbimet ruse kanë ndikim të jashtëzakonshëm në strukturat e sigurisë në Serbi. Deklarata e kryeministrit Kurti nuk ka qenë e menduar mirë. Realisht Kosova nuk është në rrezik për luftë me Serbinë. Në aspektin ekonomik nuk është e mirëseardhur sepse pasojat e asaj deklarate mund të jenë shumë më të mëdha”, ka theksuar Sopjani.
Sipas tij në aspektin strategjik ajo deklaratë nuk do të duhej të jepej.
“Mund të kemi tensione në veri, por luftë në Kosovë në këto rrethana nuk mund të ketë. Nuk them se jemi shumë të fortë, por nuk ka rrezik për luftë. Pra, nuk ka qenë e menduar mirë për aspektin e kohës, sepse Kosova veçse ishte në ballinat e mediave ndërkombëtare për gjëra më të mira. Prej festivalit të Dua Lipës, për të cilin po fliste krejt bota, e të kthehesh të flasësh për luftë sot, nuk ishte diçka e menduar mirë“, ka shtuar Sopjani.
Ai ka thënë se zhvillimet e tilla në veri po përsëriten shumë herë dhe se deklarata e Kurtit jepte mesazhin që Kosova ende është vend i pasigurt, vend i pa bërë dhe i pakompletuar.
Bajqinovci: Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdijesim”.
Intervista për mediat e huaja e kryeministrit Albin Kurti, i cili vuri në pah rrezikun e luftës në Kosovë, si pasojë e ndikimit të madh të Rusisë mbi Serbinë ka ngjallur reagime të shumta.
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se kryeministri Kurti në këtë intervistë vetëm ka treguar se ekziston një rrezik potencial.
“Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdije. Kjo është e argumentuar me vite të tëra, duke ditur se Ballkani është nën hemisferën ruse, sidomos Serbia dhe disa shtete përreth. Pa dyshim të thuhet se nuk ka rrezik nga Serbia është papërgjegjshmëri. Gjithmonë ka rrezik nga Serbia. Ne po e shohim edhe armatosjen e madhe që po ndodh në Ballkan. Ne i kemi shpesh edhe deklaratat e liderëve kroatë. Ata janë në NATO dhe thonë gjithmonë se nuk na mbron vetëm NATO, por duhet të armatosemi vetë dhe t’i qëndrojmë përballë një armiku siç e kanë edhe ne edhe kroatët, e që është Serbia”, ka theksuar Bajqinovci në “RTK Prime”.
Ai ka thënë se Kosova tashmë ka filluar të armatoset, duke pasur parasysh situatën e përgjithshme.
“E kemi rritur buxhetin për ushtrinë për 52 përqind edhe pse prapë nuk është i bollshëm. Edhe po të ishte buxheti 5 miliardë apo 10 miliardë kryeministri Kurti do ta shpenzonte maksimalisht sidomos në blerjen e pajisjeve ushtarake, duke ditur se situata e sigurisë nuk është sikurse para një viti. Nuk dua të marr paralele, por duhet ta kemi parasysh se lufta në Ukrainë i ka ndryshuar matematikat e sigurisë”, ka shtuar Bajqinovci. Ai ka thënë se 60 përqind të arsenalit ushtarak të Serbisë është rreth kufirit me Kosovën.