Ish këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Driton Tali ka bërë një analizë lidhur me mundësinë e shpërtimit të një lufte ndërmjet SHBA-së dhe Kinës.
Në një postim në Facebook Tali shkruan se, pasi që fuqia luftarake pasqyrohet nëpërmes investimeve në ushtri (potencialin luftarak), statistikat tregojnë se fuqia ushtarake e ShBA'së është shumë larg nga cilado prej shteteve tjera.
Ai potencon se superioriteti i ShBA'së shihet edhe nëse investimet në ushtri i krahasojmë në kuadër të përqindjes së investimeve gjithëbotërore, ku ShBA është e para me 39%, UE (nëse e trajtojmë si shtet unitar) del e dyta me 20% dhe Kina e treta me 14%...
Postimi i plotë:
Kohën e fundit goxha po flitet shumë për mundësinë e një lufte në mes Kinës dhe ShBA-së.
Sipas mendimit tim është një shembull tipik i një "proxy war" të Rusisë apo ndryshe edhe "lufte hibride" të saj.
E them këtë duke e patur parasysh interesin e Kinës, para së gjithash atë ekonomik, si interesin kryesor shtetëror, i cili i determinon interesat tjera politike dhe shoqërore.
Nëse i analizojmë të dhënat mbi shkëmbimin tregtar (si indikatori kryesor i interesave shtetërore), atëherë del se partneri kryesor i Kinës të jetë pikërisht ShBA, shkëmbimi tregtar me të cilën në vitin 2021 kapte vlerën 756 miliardë dollarë, gjersa me Rusinë ishte 147 miliardë.
Kurse partneri kryesor i Kinës del të jetë UE (nëse e trajtojmë si shtet unitar) me të cilën shkëmbimi tregtar (2021) kapte vlerën e 828 miliardë dollarë. E siç dihet UE është aleatja (sipas cinikëve sateliti ) kryesore e ShBA ‘së.
Nga ana tjetër, pasi që fuqia luftarake pasqyrohet nëpërmes investimeve në ushtri (potencialin luftarak), statistikat tregojnë se fuqia ushtarake e ShBA ‘së është shumë larg nga cilado prej shteteve tjera.
Pra është e vetmja superfuqi, gjersa shtetet tjera mund të konsiderohen si "Fuqi të Mëdha" ku njëra mund të ketë ndonjë përparësi të momentit karshi tjetrës, në ndonjë fushë, e tjetra ndonjë përparësi tjetër në fushën tjetër.
Por ShBA ngelet e vetmja superfuqi, gjithmonë pra duke u nisur nga investimet në ushtri (viti 2021):
ShBA - 801 miliardë dollarë
Kina - 293 miliardë dollarë
India - 76.6 miliardë dollarë
Britania - 68.4 miliardë dollarë
Rusia - 65.9 miliardë dollarë
Franca - 56.6 miliardë dollarë
Gjermani - 56 miliardë dollarë
Superioriteti i ShBA ‘së shihet edhe nëse investimet në ushtri i krahasojmë në kuadër të përqindjes së investimeve gjithë botërore, ku ShBA është e para me 39%, UE (nëse e trajtojmë si shtet unitar) del e dyta me 20% dhe Kina e treta me 14%...
Njëashtu, nëse i krahasojmë mundësitë buxhetore (duke e llogaritur përqindjen e buxhetit të investuar në ushtri), gjithashtu del se ShBA e ka potencialin më të madhin buxhetor për ta inevstuar.
Me 2021,
Rusia e ka shpenzuar më së shumti buxhetin e saj total në ushtri - 4.1%; pastaj ShBA 3.5%; India 2.7%; Britania 2.2%; Franca 1.9%; Kina 1.7%; Gjermania 1.3%...
Andaj, sipas këtyre statistikave del që gjasat për të pasur luftë në mes ShBA ‘së dhe Kinës njëherë përnjëherë janë nul.