Publicisti shqiptar, Ramazan Bekteshi, i ka reaguar ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanit, lidhur me deklaratën e tij për situatën në veri të Kosovës.
Bekteshi ka thënë se deklarata e Osmanit është neveritëse dhe sikur të dilte nga goja e një anti-shqiptari, pasi sipas tij, ai nuk fajëson kërcënuesin e tensioneve, por barazon viktimën me agresorin, përcjell Bota sot.
Teksa ka krahasuar Osmanin me ish-emisarin amerikan për dialogun Richard Grenell, Bekteshi ka pyetur se si do të veprojë BDI-ja pas “kësaj hileje”.
“Deklarata e fundit e Bujar Osmanit për Kosovën nuk dallon nga Grenell, si do të veprojë BDI pas kësaj hileje të radhës?!
Deklarata e Ministrit për Punë të Jashtme i MV Bujar Osmanit , për situatën në veri të Kosovës është neveritëse, sikur të dilte nga goja e një antishqiptari. Ai nuk fajëson kërcënuesin dhe shkaktarin e tensioneve, por duke kërkuar përmbajtje nga të dy anët, ai e barazon viktimën me agresorin, ai harron se Kosova është e pavarur dhe ka të drejtë për reciprocitet. Tani lind pyetja a qëndron partia, BDI (pas këtyre deklaratave poshtëruse), a do të marr partia masa, sepse ky është zgjedhur me votë shqiptare. Çka po ndodh me partinë shqiptare në pushtet, ajo është shndërruar në një memece për të drejtat e shqiptarëve, por shumë e artikulueshme si me Ballkanin e Hapur, poashtu edhe me deklarata që e lëndojnë fort Kosovën. A është ky fundi apo fillimi i punës në krahë të djallit!”, ka shkruar Bekteshi në një postim në Facebook.
Osmani ka mirëpritur uljen e tensioneve pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të shtyrë deri në shtator zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve.
“Ne po përcjellim situatën në veri të Kosovës me interes të madh, duke mirëpritur depërshkallëzimin. Ne inkurajojmë Kosovës dhe Serbinë në linjë me qëllimet e fqinjësisë së mirë dhe vlerave europiane që të ruajë atë që është arritur në besim të mirë, duke marrë në konsideratë kontekstin e brishtë gjeopolitik”, ka thënë Osmani.