Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka reaguar ndaj deklarimeve të LDK-së mbi investimet kapitale për Ushtrinë e Kosovës nga Ministria e Mbrojtjes në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Në një postim në Facebook, ministri Mehaj ka thënë se brenda periudhës së qeverisjes së deritanishme janë zotuar mbi 50 milionë euro blerje të armatimit.
“Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë 67 milionë euro, në qeverinë tonë është rritur në 102.3 milionë. Këtë vit, deri më tani kemi zotuar 28.6% të buxhetit për blerje. Kjo përqindje do të dyfishohet brenda javëve të ardhshme, kur do të përmbyllen blerjet që janë në proces”, ka shkruar ai.
“Ministria e Mbrojtjes vitin që lëmë pas ka shpenzuar 96% të buxhetit, njëherësh përqindja më e lartë e shpenzimit të buxhetit ndonjëherë”, ka shtuar ai.
Sipas ministrit Mehaj, vetëm për një vit e gjysmë kanë rekrutuar 1240 ushtarë të rinj dhe së shpejti do të hapet konkursi edhe për 612 ushtarë aktivë dhe 367 ushtarë rezervë.
Ndryshe, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku sot në një konferencë për media tha se nga 53 milionë euro të dedikuara për investime kapitale për ushtrinë e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka realizuar vetëm dy milionë.
“47 projekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me avancimin e sistemeve për menaxhimin e financave publike, kanë zero realizim nga kjo ministri. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka më shumë se 5 për qind realizim për investimet kapitale të dedikuara për 6 muajt e parë. Është kontradiktore se si javën e kaluar kryeministri fliste për luftën, ndërkohë që arrin të investojë vetëm 5 për qind të buxhetit të kësaj ministrie në pajisjet dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës”, tha ajo.