Drejtuesit e shoqatës njoftuan ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për punën e tyre në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe përpjekjet e tyre për drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pritur në takim drejtuesit e Shoqatës për Krime të Luftës në Gjakovë.
Në këtë takim Haxhiu tha se është informuar për padinë që këtë të martë kjo shoqatë deponoi në Prokurorinë Speciale kundër Bozhidar Deliq dikur ish- komandant i Brigadës 549 që kishte operuar gjatë luftës në Kosovë ndërsa tash nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.
“U njoftova lidhur me punën e Shoqatës në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme për drejtësi. Në këtë takim po ashtu u njoftova që sot përfaqësuesit e shoqatës kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dëshmi të krimeve të luftës kundër kriminelit Bozidar Deliç-it, ish-komandant i Brigadës 549 e cila kishte operuar gjatë luftës në Kosovë dhe tash nënkryetar i Kuvendit të Serbisë”, ka shkrur Haxhiu në Facebook.
Ministrja Haxhiu ka falënderuar shoqatën për punën vullnetare në dokumentimin e së kaluarës duke ritheksuar përkushtimin në adresimin e krimeve të luftës, në veçanti ngritjen e kapaciteteve në institucionet e drejtësisë dhe dokumentimin e krimeve të luftës.