Kurti në Bruksel thotë se nuk ka mënyrë tjetër përveç zbatimit të vendimeve të qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria po implementon diçka që është në pajtim me kushtetutën, por edhe në përputhje me obligimet që Serbia i ka marrë vite në parë në negociatat e Brukselit.
Ai ka thënë se nuk ka ndonjë mënyrë tjetër përveç zbatimit të vendimit, kur është pyetur nga gazetarët në Bruksel nëse është e mundur tërheqja nga vendimit për targat.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se implementimi i vendimeve është në dobi të të gjithëve.
Kurti: Po implementojmë diçka që është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet tona
“Për më tepër, vetë Serbia është pajtuar që prej mesit të janarit 2018 nuk do të prodhojnë tabela të tilla në Serbi më tutje dhe nuk do t’i detyrojnë serbët që t’i përdorin ato. Pra, katër vjet më vonë po implementojmë diçka që është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet tona, pra e ligjshme, por në anën tjetër duke qenë në përputhje me zotimet e Serbisë dhe obligimet e tyre të marra përsipër gjatë negociatave në Bruksel. Pra, nuk ka ndonjë mënyrë tjetër dhe besoj që është në dobi të gjithë neve që të bëjmë çdo gjë legjitime dhe të ligjshme në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se Kosovës i duhet mbështetja nga Bashkimi Evropian dhe NATO-ja për të vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit derisa ka përmendur operacionet e Policisë së Kosovës në këtë drejtim.
Kurti: Në njërën anë kemi shtetin demokratik të Kosovës, në anën tjetër strukturat e paligjshme të Serbisë
“Nëse mendohet për dy palët, në njërën anë kemi shtetin demokratik të Kosovës, kemi policinë profesionale të Republikës sonë, në anën tjetër të pala tjetër kemi strukturat e paligjshme të Serbisë që janë kthyer në banda kriminale që kanë ngritur edhe barrikada, nëntë nga 13 prej tyre janë ngritur për më pak se 10 minuta, në këtë kuptim mund të thuhet se janë dy anë ose dy palë por nuk mund ta humbim busullën morale, nuk mund të shmangim politikat e vendosura me bazë, pra duhet të ketë zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, krimit të organizuar, që nga prilli i vitit të kaluar deri në korrik të këtij viti policia jonë ka ndërmarrë së bashku 39 operacione të ndryshme me të cilat kanë arritur të arrestojnë dhjetëra kriminelë nga grupet krimit të organizuar që janë shumëkombëshe e ndërkombëtare, edhe jashtë kufijve, shumë nga ta janë edhe shqiptar, jo vetëm serb, por policia nuk bën dallimin e kriminelëve në kuptimin e përkatësisë etnike apo kombëtare”, ka thënë ai.
Shefi i ekzekutivit ka folur në një konferencë për media bashkë me shefin e NATO-s, të cilit i ka thënë se Kosova kërkon anëtarësimin në këtë organizatë.
Kurti: Kemi një vizion të qartë, kërkojmë anëtarësimin në NATO
“Kemi një vizion të qartë, ne kërkojmë anëtarësim në NAO dhe kjo do të na mundësojë që të japim këtu dhe çdo kund atë që vendet e shtetet na kanë dhënë neve si qytetarë. Kërcënimet, rreziqet dhe sfidat që NATO i përballë ndjehen edhe nga vendi jonë. Institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj në situatën aktuale kanë arsye për të qenë vigjilent në kuptimin e qasjes destruktive të fqinjit tonë verior ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Jemi plotësisht të përkushtuar për zhvillimin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve tanë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe komuniteteve dhe siguri e rend për të gjithë, pra për sundimin e së drejtës ndaj kushtetueshmërisë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
Kurti ka thënë se Kosova mirëpret mbështetjen e NATO-s për paqe dhe qëndrueshmëri, për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.
Në anën tjetër, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mjedis të rregullt e të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë popullin në Kosovë.
Ai ka theksuar se e vetmja mënyrë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina të zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ai ka thënë se NATO është në Kosovë me gati 4 mijë trupa që është prania më e madhe ushtarake jashtë territorit të NATO-s.
Stoltenberg: Mund të rrisim praninë tonë në veri të Kosovës
“Trupa të trajnuar të udhëhequr mirë, forca të NATO-s nga të gjitha vendet dhe partnerët tanë, vetëm prania e këtyre trupave ndihmon në de-përshkallëzim, kur është e nevojshme e kemi demonstruar shumë herë që mund të të zbarkojmë dhe të rrisim praninë tonë, si në veri atë që kemi bërë në javën e fundit. Prapë mund t’i rrisim praninë tonë, përndryshe kemi patrulla të rregullta të trupave të KFOR-it edhe në veri. Veprimet tona do të jenë proporcionale, të matura, të qartë dhe do të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të parandaluar çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ajo që e kemi dëshmuar shumë herë për shumë vite, e demonstron atë që NATO arrin të bëjë kudo që është e nevojshme dhe e domosdoshme”, ka thënë Stoltenberg.
Ai ka inkurajuar palët që të angazhohen në mënyrë pozitive dhe konstruktive në raundin më të fundit të bisedimeve.
Stoltenberg ka thënë se kjo është mundësi që Kosova të demonstrojë që është palë përgjegjëse në komunitetin euroatlantik.
Takimet në selinë e NATO-s janë mbajtur një ditë para se kryeministri Albin Kurti të takohet me presidentin e Serbisë në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.