Pasi kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, s’ka pranuar ta takojë presidentin e Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës, por ka kërkuar në selinë e partisë, eksperti i protokollit, Haki Merovci, ka sqaruar se në bazë të protokollit takimet e një presidenti të huaj me krerët partiakë zhvillohen në mjediset e institucioneve shtetërore ose në hotelet diplomatike.
“Protokolli i shtetit është mbi partitë. Sipas ceremonialit shtetëror dhe praktikave protokollare, takimet e një presidenti të huaj me krerët partiak zhvillohen në mjediset e institucioneve shtetërore, respektivisht në hotelet diplomatike”.
Merovci shtoi se këto takime nga programi i vizitës shtetërore organizohen nga protokolli i shtetit dhe drejtohen nga ambasada respektive e shtetit mysafir.
Marshalli i protokollit u tregua i prerë, duke thënë se “nuk ka negociata me protokoll”.
Begaj dje ka komentuar këtë rast dhe tha se takimet ishin të paracaktuara që do të kryheshin në Kuvendin e Kosovës, ndërsa LDK kishte kërkuar që takimi të mbahej në selinë e tyre.