Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur rreth takimit të nesërm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Në një postim në Facebook, Haziri ka shkruar se deri tani, kryeministri i Kosovës ka pasur takime me presidentin serb sa për t’u takuar, por asnjë marrëveshje e re nuk është arritur.
“Është biseduar dhe dakorduar lidhur me metodat e implementimit të marrëveshjeve që janë arritur nga ish-kryeministrat e Kosovës.
Ende nuk e kemi parë Kurtin në veprim për të zgjidhur një çështje të vetme në agjendën e cila pritet të shtjerret së bashku me ndërmjetësin ndërkombëtar, që në këtë rast është BE dhe Lajçak në emër të përfaqësuesit më të lartë të BE-së dhe lehtësimit të vjen nga SHBA-të”.
Kështu sipas Hazirit, në takimin e nesërm palët duhet ta kenë parasysh dhe prioritet negocimin sa më të shpejt të zgjidhjes së çështjeve përpara.
“Natyrisht, me marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila përfundon me njohje reciproke dhe i obligon të dyja palët që ta zbatojnë dhe, mbi të gjitha, me këmbëngulësi dhe me vullnet politik duhet të insistojmë që kjo të përfundojë sa më parë sepse status-quo është armiku më i madh i Kosovës, e cila sjell tensione.
Në këtë rast, kapaciteti i gjetjes së zgjidhjeve tregohet, jo nëpërmjet policisë, por nëpërmjet dialogut”, ka përfunduar Haziri.