Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se është duke vazhduar operacioni për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës.
Aksion i sotëm i Prokurorisë është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme në këtë zonë.
“Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Aksioni po realizohet në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Ministrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës.