Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke vërtetuar aktgjykimi lirues të Gjykatës Themelore në Gjakovë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarit komunal, Ismet Isufi, zyrtarit Gani Rama dhe biznesmenit Veli Hajdaraga.
Pal Lekaj akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune. Për keqpërdorim pozite akuzoheshin edhe ish-zyrtari Isufi dhe zyrtari komunal Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione akuzohej biznesmeni Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përmes një komunikate për medie nga Apeli, thuhet se vërtetohet aktgjykimi lirues i Themelores, përpiluar më 10 mars 2022.
“Me aktgjykimin e Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, është refuzuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që është vërtetuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë PKR.nr.110/21 të datës 10.03.2022, me të cilin janë liruar nga akuza, të akuzuarit G.R., për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 të KPRK-së, të akuzuarit P.L. dhe I.I., për shkak të veprës penale në bashkëkryerje dhe vazhdimësi Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 lidhur me par. 2 e lidhur me nenet 31 dhe 81 të KPRK-së, dhe i akuzuari V.H. për shkak të veprës penale Mashtrim lidhur me subvencione në vazhdimësi nga neni 262 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Në arsyetimin e vendimit, Apeli thekson se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë janë të drejta dhe aktgjykimi i atakuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Gjykata e Apelit me aktgjykimin APS.nr.17/2022 të datës 01.08.2022, e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se gjetjet e gjykatës së shkallës së parë janë të drejta dhe aktgjykimi i atakuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet tutje.
Po ashtu, thuhet se në rastin konkret, gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë, rrjedhimisht në veprimet e të akuzuarve nuk janë përmbushur elementet e veprave penale që iu viheshin në barrë.
Andaj, kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se nuk është shkelur ligji penal dhe janë zbatuar drejt dispozitat ligjore.
Ndryshe, në shkurt të vitit 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.
Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.
Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.
Apeli e kishte lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.
Në aktgjykimin e Apelit thuhej se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.
Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.
Kjo është hera e tretë që rasti ndaj të akuzuarit Rama kthehej në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.
Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.
Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e PSRK-së.
Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.