Kryetari i Nisma Social Demokrate, Fatmir Limaj, ka folur për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për anën shpirtërore të prindërve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, të Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por u shpreh i bindur se krenaria e tyre është më e madhe.
“Kjo dhimbje është e brendshme, por jam i bindur që krenaria është më e madhe. Krasniqi e ka një jetë në shërbim të vendit, kanë jetuar me rreziqet. Edhe këta shokët e tjerë, familjet e tyre janë mishëruar në rrugëtimin e lirisë”, ka thënë Limaj.
E për këtë deklaratë të Limajt reagoi analisti Nexhat Haziri, përcjell "Bota sot".
Ai në një postim në Facebook pyeti Limajn se a kuptoi ndonjëherë dhimbjen e familjarëve të vrarë nga plumbat në një luftë pa trima e pa heronj, në një luftë për pushtet.
Postimi i plotë
Fatmir Limaj: E kuptoj gjendjen shpirtërore të familjeve të Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit
- A e kuptove ndonjëherë gjendjen shpirtërore t‘nanë Hasimes që iku nga kjo botë pa e pa drejtësinë për djalin e vet (Xhemajl Mustafa), t‘nanë Nexharies( Bardhyl Ajetit), të familjes Krasniqi, Maloku, Hoxha, Berbatovci, Hajdaraj, Manaj, Rraci, Kastrati, Popova, Imeri, Dajaku, e familjeve të tjera të personaliteteve të tjerë të vrarë nga plumbat në një luftë pa trima e pa heronj, në një luftë për pushtet, për para e nam nga ata që u vet shpallen si çlirimtar të vetëm të këtij vendi, dhe deomos duhet të ishin sipas lakmisë së tyre edhe sundimtarë të tokës dhe qiellit të tij. A i kuptove ndonjëherë këto familje, së paku, a u mundove Fatmir!? Krimi ka emër, siç ka emër edhe drejtësia! (n.h)