Zbulohet çka diskutuan Escobari me opozitën, ja çka pritet javëve në vazhdim

Aktuale

Zbulohet çka diskutuan Escobari me opozitën, ja çka pritet javëve në vazhdim

Më: 24 gusht 2022 Në ora: 10:26
Takimi i opozitës me Escobarin

Modalitete të zbatimit të marrëveshjes për reciprocitet në targa dhe dokumente të udhëtimit, si dhe pikëpamje për hollësitë e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi kanë qenë pikat kryesore të diskutuara në takimin e të martës mbrëma ndërmjet të dërguarit special amerikan, Gabriel Escobar, dhe liderëve të partive opozitare.

Siç merr vesh media, përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit ka ritheksuar qëndrimin amerikan se ShBA-ja e mbështet reciprocitetin e bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, porse kërkojnë që kjo të bëhet me një fleksibilitet, në mënyrë që të mos ketë efekt negativ te qytetarët serbë.

Gjithashtu, burimet e afërta me takimet në Bruksel dhe Prishtinë kanë treguar se ndërmjetësi Escobar dhe përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, i kanë propozuar kryeministrit Albin Kurti disa versione se si do të mund të dukej zbatimi i marrëveshjes së reciprocitetit, të cilin nuk do të mund ta kundërshtonte as Serbia.

Në anën tjetër, pritet që angazhimi amerikano-evropian të intensifikohet javëve në vazhdim, me synimin që palët të jenë sa më afër dakordimit të një marrëveshjeje finale deri kah fundi i vitit.

Një takim me opozitën do ta ketë sot edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Takimi i Lajçakut me përfaqësuesit e opozitës mbahet në orën 16:00.

Këto zhvillime vijnë disa ditë pasi në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët biseduan për orë të tëra me ndërmjetësim të BE-së por se nuk arritën asnjë ujdi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat