Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka deklaruar se në takimin e javës së kaluar në Bruksel, ishte paraparë të diskutohej vetëm për dy tema. Diskutimi për elementet e marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale të cilat edhe janë prezantuar nga Kurti në tavolinën e bisedimeve, nuk u shoqëruan me kontribut nga pala serbe. Në deklarimin e tij para mbledhjes së qeverisë, kryeministri Kurti ka thënë se ka prezantuar në gjashtë kapituj marrëveshjen kornizë dhe elementet që duhet të përfshihen. Madje, ai ka deklaruar se pala serbe, panevojshëm dhe artificialisht është duke eskaluar retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se në takimin e datës 18 gusht ishte paraparë të diskutohej vetëm për dy tema.
Kurti: Takimi trilateral do të trajtonte vetëm dy tema
“Takimi trilateral i mbajtur i mbajtur me formatin 1+0, do të trajtonte vetëm dy tema: diskutimet për elementet e marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale. Një dizajnim i tillë i agjendës reflekton edhe mandatin e vet ndërmjetësit të BE-së, për dialog, z. Miroslav Lajçak. Te tema e parë unë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për kornizën e përgjithshme dhe elementet e saj që do të duhej të përfshinte marrëveshja finale edhe atë në formë të gjashtë kapitujve”, ka thënë Kurti.
Mes tjerash, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se ka prezantuar gjashtë kapituj, që siç tha ai, ndër të tjera nënkuptojnë njohjen reciproke dhe rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Kurti: Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën
“Kapitulli i parë do të duhej të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilatarale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar. Që nënkupton në njërën anë njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plot në organizatat ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës, mund të diskutojmë për hapat që do të ndërmarrim në të ardhmen, e të cilët kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit. Pra, për neve e ardhmja është bashkëpunim”, ka theksuar ai.
Megjithatë, sipas tij këto pika nuk janë shoqëruar me kontribut pozitiv nga Serbia.
Kurti: Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër
“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër, e cila në vend të ideve ka nxjerrë vetëm konstatime se nuk janë të interesuar për normalizim të plotë, por për hapa të vegjël dhe gradual. Ka qenë pritja jonë që kjo pikë e agjendës të konsumojë pjesën më të madhe të kohës, për çka jemi treguar të gatshëm të qëndrojmë në Bruksel edhe përtej ditës së enjte. Kjo për arsye se edhe problemet e vazhdueshme në raportet mes dy vendeve tona i shohim mes tjerash si simptomë të mos fillimit të bisedimeve për normalizim të plotë. Ka qenë takim i liderëve dhe duhet të bisedojmë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ndërkombëtarisht ligjërisht të obligueshme. E jo thjesht për menaxhim krize me hapa të vegjël, e probleme potenciale e eventuale të sigurisë”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, Kurti ka thënë se ditëve të fundit kanë qarkulluar disa të pavërteta para dhe pas takimit në Bruksel. Sipas tij, fleta A4 e lëshuar në pikat kufitare për qytetarët serbë nuk ka të bëjë me konfiskim por pajisje legjitime në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Kurti: Në Bruksel ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshjeve ekzistuese
“Në Bruksel nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete të palës serbe. Në rastin më të mirë mund të thuhet që ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshje ekzistuese. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në etni apo gjini, por në vendin e qëndrimit. Si e tillë ajo nuk bën në dallim mes qytetarëve në veri apo jug të Mitrovicës. Është qytetari ai që vendos se si dëshiron të trajtohet. Nëse një qytetar në vendkalimet kufitare prezanton letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ai kërkon nga autoritetet doganore të trajtohet si qytetar i Kosovës. Nëse i prezanton letërnjoftim nga Serbia, ai preferon të trajtohet si qytetar i Serbisë, rrjedhimisht preferon të pajiset me dokumentin për hyrje-dalje. Lëshimi apo jo i dokumentit për hyrje-dalje nuk është i lidhur me asnjë privilegj apo diskriminim në të drejta apo obligime. Rrjedhimisht nuk mund të marrë epitetin e dokumentit diskriminues”, ka vijuar Kurti para mbledhjes së qeverisë.
Në deklarimin e tij, para fillimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar, Kurti shtoi se pala serbe është duke eskaluar retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë.
Kurti: Pala serbe panevojshëm dhe artificialisht është duke eskaluar retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë
“Jam thellësisht i bindur që pala serbe, panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke eskaluar si retorikën ashtu dhe veprimet në fushën e sigurisë. Kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët duan të mbështesin vendimet legjitime të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Si e tillë kjo përbën cenim të drejtpërdrejt të sigurisë nacionale ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsi në negociata, duke e kërcënuar Bashkimin Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Mbretërinë e Bashkuar me tensione në të ardhmen. Kërcënimet me largim të eventual të qytetarëve tanë të minoritetit serb ndaj institucioneve të Kosovës, përbëjnë dominim të narratives së kriminelëve të Milan Radoiçiqit, e jo të atyre që integrimin e shoh opsionin primar”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se janë duke punuar për dialogun e brendshëm me qytetarët e komunave serbe dhe të njëjtëve u ka bërë thirrje që të mos ndjekin retorikën, siç e quajti ai, luftë nxitëse.