Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur planin e saj për ta nxjerrë Kosovën nga kriza për energji elektrike.
Gjykuar nga zëdhënësja e LDK’së, Sibel Halimi, reduktimet e rrymës në verë janë si rezultat i paaftësisë së Qeverisë për ta menagjuar vendin, ndaj kjo e ka shtyrë LDK’në të dalë me një plan me 10 pika kryesore, si shteg daljeje nga kriza energjetike.
Në këtë plan përfshihet pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion eurove, krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative (pelet dhe drunj), heqja e TVSH’së në rrymë deri në tejkalimin e krizës si dhe largimi i tarifave të ZRrE’së.
“LDK kërkon inicimin dhe zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri. Në planin afatgjatë, Qeveria duhet urgjentisht të nisë procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me burime të gazit natyror – pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era”, shkruan tutje zëdhënësja e LDK’së.
Njoftimi i plotë:
PLANI I LDK-SË KUNDËR TERRIT
Paaftësia e qeverisë me shumë numra në Kuvend, me të gjitha pushtetet në dorë, e me kryeministrin që e ‘mbajnë në terr informativ’ për terrin energjetik – ka bërë që të kemi reduktime në verë. Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur Planin me 10 pika kryesore, si shteg daljeje nga kriza energjetike.
Shteti ynë duhet të krijojë mundësi për furnizim me burime alternative, siç janë drunjtë dhe peleti; si dhe të bëjë gati një plan të efiçiencës, ku do të përfshiheshin shkollat, shtëpitë e shëndetit, e objekte të tjera publike. Duhet një strategji për negocimin e kontratave afatgjate për furnizim me energji; dhe sikurse për çdo produkt tjetër bazik – heqja e TVSh-së në rrymë, deri në tejkalim të krizës. Qeveria duhet të përgatisë një pako të re të subvencionimit të energjisë elektrike; si dhe të largojë tarifat diskriminuese të ZRrE-së.
LDK kërkon inicimin dhe zotohet të përkrahë çdo nismë ligjore eventuale në Kuvend për të themeluar Bursën e Përbashkët për Energji Kosovë-Shqipëri. Në planin afatgjatë, Qeveria duhet urgjentisht të nisë procedurat për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese me burime të gazit natyror – pra termocentralit me gaz, energjisë solare dhe asaj nga era. Këto propozime janë në vazhdën e opozitarizmit konstruktiv, rrugë të cilën LDK do të vazhdojë ta ndjek, gjithmonë në të mirë të interesit qytetar!