Marrëveshja për të pagjeturit nuk ka gjetur dakordim mes palës së Kosovës e serbe në takimin e mbajtur të enjten e 18 gushtit në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti sot tha se marrëveshja për të pagjeturit është e gatshme por që nuk u nënshkrua nga Serbia.
Çështjen e të pagjeturve e kishte përmendur edhe ish-koordinatori për dialog, Skënder Hyseni.
Ai tha se që nga shtatori i 2020-ës ekziston një element që garanton zbardhjen e fatit për të pagjetur.
Hyseni ka thënë se Kurti t’i kthehet formulës dhe platformës qe e kisha vendosur ai. Të mos bie në grackën e Serbisë për të negociuar për marrëveshje të veçanta. Së pari sipas tij duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme.
Elementi i dakorduar për të pagjeturit që në shtator 2020, garantonte zbardhjen e fatit të të gjithë të pagjeturve brenda 11 muajve. Kurti ka humbur gati dy vite duke rinegociuar një element të dakorduar, pa asnjë arsye”, ka thënë Hyesni.
Ish-koordinatori është shprehur kategori kundër që me Serbinë të dialogohet për çështje të veçanta.
“Qeveria e Kosovës ka rënë në grackën e Serbisë duke bërë dialog për çështje të veçanta, dhe duke rinegociuar elementet e marrëveshjes së përgjithshme të cilët ishin negociuar nga unë. Kjo qasje dialogun e degradon dhe si rrjedhim sjellë forcimin e status-quos, që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë”, u deklarua ai.
“Kurti duhet t’i kthehet formulës dhe platformës qe e kisha vendosur unë, e e cila konsistone në qëndrimin se së pari duhet të diskutohen elementet e marrëveshjes së përgjithshme duke përfshirë njohjen dhe të nënshkruhet ajo“, tha tutje Hyseni.
Hyseni thotë se vetëm pas nënshkrimit dhe njohjes do të fillonte zbatimi i zotimeve të marra me marrëveshjen e përgjithshme me Serbinë.
“Marrëveshja e përgjithshme i bënë lehtë të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Përderisa Serbia insiston se normalizimi mund të vije gradualisht, përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta. Ndërsa Kurti duhet të insistojë që së pari duhet të ndodhë normalizimi dhe njohja, e pastaj zbatimi. Pra është formula serbe ‘përmes zbatimit deri te normalizimi’, ndërsa e jona duhet të jetë ‘përmes normalizimit deri te zbatimi“, ka deklaruar ish-koordinatori për dialog me Serbinë.
Ndërkohë, kryeministri Kurti ka thënë se sa për Kosovën, marrëveshja do të nënshkruhej më 18 gusht në takimin e ndodhur në Bruksel.
Ai në mbledhjen e qeverisë theksoi se te tema e personave të zhdukur me dhunë nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që të nënshkruhet dokumenti dakordues. Kurti tha se pa fajin e Kosovës, është pala tjetër që nuk ka interesim.
Kurti ka theksuar se kjo marrëveshje mund të nënshkruhej të enjten që shkoi.
“Te tema e personave të zhdukur me dhunë, s’ka pasur gatishmëri nga Serbia që të nënshkruhet dokumenti i dakorduar. Pra për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe germë të dakorduar, por nuk ekziston nënshkrimi. Pa fajin tonë. Është pala tjetër ajo që s’ka pranuar”, u shpreh ai.
Kurti tha se kur flitet për njohje reciproke, reciprociteti është fryma.