​7 vjet nga nënshkrimi i katër marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Aktuale

​7 vjet nga nënshkrimi i katër marrëveshjeve Kosovë-Serbi

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 07:16
Foto ilustrim

Më 25 gusht 2015, në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në prani të shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për Telekomunikacionin, marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Isa Mustafa tha se "Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive" dhe se "marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës."

Edhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se marrëveshjet "janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës" dhe se “asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”. 

Pala kosovare dhe bashkësia ndërkombëtare kanë insistuar që të katër marrëveshjet të nënshkruhen së bashku, pasi pala serbe ka qenë më së shumti e interesuar për marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa ajo kosovare për tri marrëveshjet e tjera.

Por, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se asociacioni do të ketë kryetarin e vet, nënkryetarin, kuvendin, këshillin, stemën dhe flamurin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat