Lajçak deklarohet nga veriu i Kosovës, tregon a u kanë kërkuar Kurtit ta shtyjë vendimin për reciprocitetin

Aktuale

Lajçak deklarohet nga veriu i Kosovës, tregon a u kanë kërkuar Kurtit ta shtyjë vendimin për reciprocitetin

Më: 25 gusht 2022 Në ora: 09:39 Përditësuar në ora: 14:15 më 25.08.2022
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak (djathtas) dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022.

​Lajçak nga veriu: Nuk mund të ketë më barrikada dhe trazira

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se nuk mund të ketë më barrikada dhe trazira në Mitrovicën e Veriut.

Pas takimit të enjten me përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës, Lajçak tha se nuk mund të ketë situatë të njëjtë sikur më 31 korrik dhe 1 gusht, kur përfaqësuesit serbë lokal ngritën barrikada për të penguar Qeverinë e Kosovës për të zbatuar dy vendimet e saj për reciprocitetin në dokumente të udhëtimit dhe për targat ilegale.

Lajçak: Jemi këtu që mos të ketë barrikada dhe trazira

“Një mesazh shumë i fortë nga Bashkësia Evropiane është se ne nuk mund të jemi në të njëjtën situatë më 31 gusht si në 31 korrik. Kjo është arsyeja pse ne e kërkuam dhe e morëm atë shtyrje dhe për këtë arsye organizuam takimin në Bruksel javën e kaluar dhe kjo është arsyeja pse jemi këtu sot që njerëzit të mos kenë frikë, që njerëzit s’kanë pse, që të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale, kështu që ne po bëjmë gjithçka që të mos ketë barrikada...Unë jam këtu për të bërë gjithçka së bashku me miqtë tanë amerikanë në mënyrë që të mos ketë barrikada, të mos ketë trazira dhe të mos ketë lëndime dhe që njerëzit të jetojnë të qetë... Duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale, një ditë e zakonshme”, tha ai.

Takimin me serbët lokalë Lajçak e vlerësoi si të mirë dhe tha se do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje që mos të përkeqësojë jetën e tyre.

Lajçak: Kemi pasur shumë mundësi të flasim

“Jemi me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, natyrisht që ata dëgjojnë nga ne se cili është qëllimi i misionit tonë, që ne dëgjojmë nga dora e parë, si është atmosfera, cilat janë pritshmëritë dhe mendoj se çfarëdo vendimi të merret, serbët që jetojnë atje janë në qendër të atij vendimi, kështu që çdo vendim i keq përkeqëson jetën e tyre dhe një vendim i mirë e përmirëson atë, kështu që ishte e rëndësishme për mua që ata të mos mësojnë për ato proceset në mënyrë indirekte, por edhe të bisedojmë . Kemi kaluar gati dy orë, kemi pasur shumë mundësi të flasim për gjërat dhe sigurisht që misioni ynë vazhdon, tani po shkojmë nga këtu në Beograd ku kemi një takim me presidentin Vuçiq dhe pastaj të shohim nëse ia dolëm dhe ku jemi”, shtoi ai.

Në takim ishte edhe i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Lajçak tha se duhet të gjendet një zgjidhje për të shmangur krizën dhe përshkallëzimin

Lajçak: Jemi këtu për të gjetur zgjidhje, për të shmangur krizën dhe shmangur përshkallëzimin

“Unë jam në mes të misionit dhe definitivisht nuk dua të flas për opsionet që janë në tavolinë sepse kjo do të ishte e dëmshme për suksesin e misionit... Opsionet janë opsione që ruajnë paqen dhe atmosferën normale në terren. Këto janë lajmet e mira. Nuk ka të bëjë me fitues apo humbës, ka të bëjë me njerëzit që jetojnë këtu... Nuk dua të spekuloj për këtë. Ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje, për të shmangur krizën dhe për të shmangur përshkallëzimin, pra mos të spekulojmë për situata krize”, tha ai.

Lajçak dhe Escobar gjatë vizitës në Kosovës takuan edhe krerët institucionalë dhe opozitarë në vend.

Pas vizitës në veri, dy emisarët euro-amerikan udhëtuan për në Beograd, ku do të zhvillojnë takime me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Lajçak në Mitrovicë: Nuk mund të ketë më barrikada

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale... Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.

Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.

Lajçak, po ashtu, nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që të shtyjë edhe një herë zbatimin e vendimit - për tre muaj të tjerë, siç u spekulua në disa media në Kosovë.

“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi, nuk dua të futem në to”, tha ai.

Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se "po punohet që të mos ketë barrikada".

“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.

Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd - sot më vonë ose nesër.

As Lista Serbe - subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim - nuk u prononcua për media.

Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht. Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

​Emisarët euro-amerikan nga veriu: 1 shtatori do të jetë ditë normale

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë përfunduar vizitën në Mitrovicën Veriore.

Pas takimit me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, dy emisarët përsëritën angazhimin për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që mos të ketë tensione më 1 shtator, pas vendimeve të Kosovës për reciprocitet në dokumente dhe për targat ilegale.

Lajçak tha se do të vazhdojnë vizitën në Beograd dhe pastaj do të kenë një përgjigje më të saktë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërsa, Escobar, tha se takimi me përfaqësuesit serb në Kosovë ka qenë i mirë dhe ka dëgjuar gjitha shqetësimet e tyre.

Lajçak nga Mitrovica: Ka disa opsione për çështjen e reciprocitetit

Emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak është deklaruar për mundësinë që pala e Kosovës ta shtyjë zbatimin e masës së recirpocitetit për targat dhe letërnjoftimet.

Nga Mitrovica, Lajçak tha se ka shumë spekulime për zhvillimet e fundit, por sipas tij janë disa opsione rreth kësaj çështjeje për të cilat nuk mund të flas në detaje.

I pyetur se a janë ato opsione të mira, ai tha se “Do ta shohim së shpejti”.

Përpos kësaj, Lajçak tha se në takimin që kishin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ka dëgjuar shqetësimet e tyre dhe ripërsëriti se 1 shtatori do të jetë një ditë normale.

Lajçak nuk e pranon se i kanë kërkuar Kurtit ta shtyjë vendimin për targa dhe dokumente

Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, sot është takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe. Pas këtij takimi, Lajçak tha se janë diskutuar tema të rëndësishme, raporton “Kosovo online”.

Lajçak e vlerësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm.

“Një takim shumë i rëndësishëm me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë. Ne patëm diskutime për të gjitha temat e rëndësishme dhe po vazhdojmë udhëtimin tonë për në Beograd,” tha Lajçak para gazetarëve.

Ai u pyet edhe rreth raportimeve se ata kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit për targa e dokumente për tre muaj.

“Ka shumë spekulime, nuk di asgjë për këtë”, u përgjigj Lajçak.

Escobar dhe Lajçak në Mitrovicën e Veriut

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po takojnë në Mitrovicën e Veriut kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri: Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Zoran Todiq dhe Sërgjan Vulloviq.

Në takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Escobar dhe Lajçak ndodhen në Kosovë që nga 23 gushti. Ata kanë takuar tashmë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qëllim i vizitës së tyre është thënë se është evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë atje janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për riregjistrimin e makinave të tyre me targa të Kosovës, si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e a shtyrë zbatimin e vendimeve për 1 shtator.

Escobar tha pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.

Në takime, ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.

Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.

Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS - neutrale ndaj statusit të Kosovës - nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.

Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhen të riregjistrohen në RKS - Republika e Kosovës.

Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

​Escobar, Lajçak dhe Hovenier vizitojnë veriun e vendit

Emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak dhe ambasadori amerikan në Kosovëm, Jeffry Hovenier po qëndrojnë në Mitrovicën veriore.

Ata janë pritur nga ministri serb Goran Rakiq dhe nga kryetari i Komunës të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç. 

Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së, Miroslav Lajçak dje janë takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Takime emisarët patën edhe me përfaqësues të opozitës.

Në një konferencë për media Escobar dhe Lajçak deklaruan se nuk presin përshkallëzim të situatës më 1 shtator kur edhe pritet të fillojnë së zbatuari vendimet e Qeverisë së Kosovës për targa dhe letërnjoftime. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat