Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj grevës së filluar në sektorin publik, dhe deklarimeve të Ministrisë së Financave se do t’ua ndalë pagesën të gjithë atyre që marrin pjesë në grevë.
Abdixhiku ka deklaruar se ky është narracion i një pushteti autokratik. Sipas tij sot shoqëria duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.
Postimi i plotë:
NË VEND TË DINJITETIT, KËRCËNIM
Ky është narracioni i një pushteti autokratik që deri dje premtoi mirëqenie e zhvillim, sot shpërndanë frikë e kërcënim. Kërkimi i listave të punonjësve në grevë nga ana e Qeverisë përveçse presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratike në vend dhe vet shtetit juridik.
Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri.
Këtë përballueshmëri ata se gjejnë dot. Ata kanë gjetur një kryeministër që me frikë e kërcënim, provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij. Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë. Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha.