Prej sot pritet të ketë përmirësim të reduktimeve të rrymës. Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Sipas tij, ky përmirësim i furnizimit me energji elektike vije në bazë të informatave që kanë nga KEK-u, si rezultat i rikthimit nga remonti të njësisë B2 të Termostatit Kosova B.
Buzhala: Presim që të ketë përmirësim të reduktimeve
“Kufizimet e energjisë elektrike janë vazhdimisht që nga e hëna e kaluar deri sot, kanë qenë rreth dy orë... Presim që të ketë përmirësim pasi që... në bazë të informatave që kemi nga KEK-u pritet të rikthehet nga planifikimi mirëmbajtja e planifikuar vjetore, njësia B2 e Termostatit Kosova B dhe do ta stabilizojë mjaftë situatën”, thotë ai.
Buzhala thotë se aplikacioni eKesco është ndër më të suksesshmit për tu informuar qytetarët për reduktimet.
Buzhala: Aplikacioni eKesco është ndër më të suksesshmit në Kosovë për informim
“I vetmi aplikacion automatik është eKesco, ne jemi në botën e aplikacioneve. Secili qytetar ka qasje në internet. Penetrimi në internet në Kosovë është gati qind për qind, d.m.th. është gjendur zgjidhja më e mirë për t’i njoftuar secilin qytetar individualisht për pikën matëse aty ku është rezident. Pra, aplikacioni eKesco në këtë rast që është ndër më të suksesshmit në Kosovë sa i përket kompanive elektro-energjetike edhe në rajon është metoda më efikase. Qytetarët e Kosovës e kuptojnë menjëherë me disa klikime përmes hartës secilën lëvizje që kanë sa i përket distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike”, thotë ai.
Sa i përket vonesave të rrymës që po ndodhin nganjëherë, ai thotë se shkak është volumi i madh i shkyçjeve të daljeve.
Buzhala: Nga volumi i madh i shkyçjeve të daljeve, është e pamundshme që ato të kryhen për të njëjtën kohë
“Bëhet fjalë për volum jashtëzakonisht të madh të shkyçjeve të daljeve dhe është e pamundshme që ato të kryhen për të njëjtën kohë. Mirëpo nëse një shkyçje ndodh në orën 8:20, atëherë konsumatorit i kthehet energjia elektrike në 22:20 apo edhe me herët ndoshta në ndonjë rast”, thekson ai.
Buzhala apelon të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.
Qytetarët e Kosovës janë duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike nga data 15 gusht.
Ndërkaq Qeveria e Kosovës të mërkurën ka ndarë 41 milionë euro në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike për mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky është zotim i qeverisë për të mbështetur qytetarët në tejkalimin e krizës energjetike dhe përballimin e tarifave të shtrenjta.
KosovaPress ka tentuar të marr informacione shtesë nga KEK-u lidhur me njësinë B2 të Termostatit Kosova B, porse nuk kanë kthyer përgjigje.