Analistët për reciprocitetin: Një shtatori nuk do të jetë i rëndomtë

Aktuale

Analistët për reciprocitetin: Një shtatori nuk do të jetë i rëndomtë

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 16:24
Foto ilustrim

Kanë mbetur edhe pesë ditë që pritet të hyjë në fuqi vendimi për zbatimin e reciprocitetit për dokumentet hyrëse-dalëse ndaj shtetasve serbë, por ende palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje. Njohësit e rrethanave politike në vend kanë opinione të ndryshme për sa i përket asaj që zbatimi i këtij vendimi do të kalohet me normalitet.

Nuk do të jetë ditë e rëndomtë 1 shtatori, nëse nuk do të këtë marrëveshje paraprake ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për dokumentet hyrëse-dalëse. Kështu ka deklaruar profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu.

Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryeministrit Albin Kurti se 1 shtatori, kur edhe do të fillojë zbatimi i vendimit për reciprocitet me Serbinë do të jetë ditë normale, Spahiu ka potencuar se pa marrëveshje, situata mund të eskalojë.

“Nuk e di deri ku kanë arritë dhe a do të ketë marrëveshje para 1 shtatorit. Por gjithsesi nëse nuk ka marrëveshja para 1 shtatorit, atëherë mund të pritet që do të këtë ndeshje ndërmjet Policisë së Kosovës dhe strukturave paralele të Vuçiqit, të organizuara në veri të Kosovës”, ka deklaruar Spahiu për Radio Kosovën.

Por, ndryshe mendon profesori i shkencave politike, Bekim Baliqi. Ai në një prononcim për Radio Kosovën tha se gjasat janë të mira për arritjen e një marrëveshjeje dhe se 1 shtatori do të jetë ditë normale.

“Nëse jo formalisht një marrëveshje, atëherë do të arrihet një lloj pajtimi ndërmjet palëve, që këtë çështje ta zgjidhin nëpërmjet dialogut. Prandaj mendoj që do të jetë një ditë e zakonshme. Shpresoj që nuk do të këtë tensione”, ka theksuar Baliqi.

Baliqi ka shtuar se edhe vizitat e fundit në Prishtinë e Beograd të emisarëve amerikanë e evropianë, tregon se përpjekjet janë duke vazhduar që deri me 1 shtator të arrihet marrëveshje.

Profesori Baliqi vlerëson se Kosova nuk duhet të lëshojë pe nga vendimi i saj për zbatimin e reciprocitetit apo edhe të shtyjë vendimin, pasi mund të kthehet në pikën zero.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti është i vendosur që reciprociteti për dokumentet hyrje-dalje do të fillojë se zbatuari më 1 shtator. E tashmë kur kanë mbetur edhe pesë ditë kur pritet të hyjë në fuqi ky vendim, ende nuk ka dakordim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat