Ali Sefaj, udhëheqës i Këshillit Grevist të Shërbyesve Civilë, ka folur në Frontal të T7 për grevën dhe raportin me Qeverinë, ndaj të cilës i kanë drejtuar kërkesat.
Sefaj thotë se pas emailit të dërguar nga Ministria e Financave, që kërkonte listën e grevistëve për t’ia pezulluar pagat, nga Qeveria pati “tërheqje mbrapa”.
“Sot kishte një tendencë për t’u tërhequr prapa. Kishte reagim se ka qenë keqkuptim. Nuk ka qenë keqkuptim, por tendencë për frikësim të shërbyesve civilë”, ka thënë Sefaj.
Sefaj thotë se greva po shkon mirë dhe, sipas tij, shumica e shërbyesve civilë janë pjesë e saj. Për disa që s’kanë hyrë në grevë, ai thotë se janë ndjerë të kërcënuar pas emailit të Ministrisë për pezullim të pagesave.
“S’kanë dashur të hyjnë në konlikt për shkak të emailit që është dërgu”.
Sefaj fajëson institucionet se e kanë penguar të drejtën e punonjësve për të mbajtur grevë.
Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, ka kërkuar që t’i jepet lista e grevuesve për t’ua pezulluar pagën.
Sefaj thotë se ata që janë ushtrues detyre të sekretarëve të ministrive, provojnë të dëshmohen tek eprorët politikë të institucioneve.
“Ka pasur në disa ministri të caktuara. E keqja është se shumica e ministrive nuk janë me sekretarë të zgjedhur, por me ushtrues detyre.. ka ngarendje për t’u dëshmuar të politikbërësi, të fitojë kredenciale të caktuara, në rast se garon në atë pozitë përmes konkursit publik”.