Në 59 shkolla të vendit ka filluar të mbahet afati i dytë i provimit të maturës shtetërore. Për shkak të mbajtjes së afatit të dytë të maturës shtetërorë, mësimdhënësit kanë ndërprerë grevën.
Hamid Doda, profesor në shkollën e mesme profesionale të Obiliqit, "Ismail Dumoshi", thotë për KosovaPress, se posa të kryhet testi i maturës, greva do të vazhdojë.
Doda: E ndërpritem grevën për nxënësit
"Sot ne e kemi ndërprerë grevën për shkak të mbajtjes së maturës shtetërore për nxënësit. E kemi ndërprerë shkaku i nxënësve sepse greva prapë do ta fillojë posa të kryhet testi i maturës shtetërore do të fillojë. Krejt çfarë kemi bërë sot e kemi bërë për shkak të nxënësve", thotë ai.
Sa i përket organizimit, ai thotë se është në nivel të duhur si çdoherë.
Më tej, ai thotë se duhet të gjendet një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë.
Doda: SBASHK dhe Qeveria të gjejnë një zgjidhje
"Mendoj që gjendet një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Kryeministrisë sepse duhet ta gjejmë disi një marrëveshje, duhet të bisedohet pa marrë parasysh çka, bisedat nuk guxojnë të mungojnë dhe duhet gjendur marrëveshja", thotë ai.
Ndërsa, nxënësi, Drilon Selmani, i cili po i nënshtrohet testit për herë të dytë, thotë se kësaj here është i përgatitur.
Selmani: Besoj që do ta kaloj testin
"Besoj këtë herë ndoshta e kaloj, sepse herën e parë s'kam qenë i përgatitur e tash besoj e kaloj", thotë ai.
Testimit në afatin e dytë i nënshtrohen rreth 5084 maturantë në 59 qendra të testimit.
Rezultatet e afatit të dytë të provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator.