​Mes ankthit dhe shpresës, familjarët rrëfejnë për zhdukjen e të dashurve të tyre

Aktuale

​Mes ankthit dhe shpresës, familjarët rrëfejnë për zhdukjen e të dashurve të tyre

Më: 29 gusht 2022 Në ora: 14:23
Familjarët rrëfejnë për zhdukjen e të dashurve të tyre

Organizata “Ndriçimi i jetës” ka mbledhur dhjetë rrëfime nga familjarë të personave të pagjetur, të cilat i sjell në librin “Të jetosh mes ankthit dhe shpresës” i cili u promovua sot në Prishtinë. Përmes këtyre rrëfimeve, synohet që të tregohen fakte për vrasjen dhe zhdukjen me dhunë që serbët iu kanë bërë shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë si dhe t’iu bëhet thirrje institucioneve që të bëjnë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Lajme për Agim Sylën, familjarët vazhdojnë të presin edhe 23 vjet pas zhdukjes së tij nga forcat serbe. Dhimbjen dhe ankthin e pritjes për të e kanë treguar edhe në librin e rrëfimeve.

Syla: Jemi në një pritje të dhimbshme, që 23 vjet nuk kemi asnjë lajm për vëllain e zhdukur

“Shumë është dhimbje, për familjarët, për të gjithë është një pritje e dhimbshme, e mundimshme, dhimbje është edhe ata që kanë vdekur por që i kemi gjet e kemi një lehtësim, çdo vit shkojmë i përkujtojmë iu flasim, kur të udhëtojmë ndalemi të varrezat. Por për këta nuk e di njeri, jemi në ankth, ku janë, qysh është zhdukë, qysh është mbytë, se di as trupin, as ku i ka copat, nuk e di një copë ku e ka, a e ka të shpërndarë, është një ankth shumë i madh, është një tmerr, edhe shteti dhe institucionet që nuk bëjnë asgjë është tmerr. Të duket që ky libër që u bë po na duhet që diçka kemi dëgju për ta, ose po dimë diçka, institucionet kurrë nuk vjen dikush me të vet, nuk ta dinë dhimbjen”, thotë Selvije Syla, motra e Agimit.

Agim Syla ishte 19 vjeç kur është zhdukur, ndërsa janë vrarë babai dhe vëllai tjetër, trupat e të cilëve janë gjetur më vonë por jo edhe ai i Agimit.

Dhjetë rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur i ka mbledhur kryetarja e organizatës “Ndriçimi i jetës”, Lutfije Vokshi.

Vokshi, e cila ende është në pritje të lajmeve për vëllain e saj të zhdukur, thotë se përmes këtyre rrëfimeve e ngrenë zërin që institucionet të kuptojmë dhimbjen e familjarëve dhe të punojnë më shumë për zbardhjen e fatit të tyre.

Vokshi: Qeveritarët t’i lexojnë rrëfimet e familjarëve të personave të pagjetur dhe të kuptojnë dhimbjen e tyre

“Për mua ka qenë shumë vështirë, dhe shumë e rëndë, arsyeja është se edhe unë vet jam e prekur, e kam familjarin tim të zhdukur, njëkohësisht e kam ndjerë dhi9mbjen bashkë me ata, e çdo intervistë që e kam bërë kam qarë bashkë me familjarët. Kam dashur me prek në ato familje që kamerat televizive ende nuk kanë prek... Në këto rrëfime familjarët e ngrisin zërin që qeveritarët të kenë këtë libër në dorë dhe t’i lexojnë tregimet e tyre, vuajtjet që t’i kuptojnë shpirtërisht dhe ta ngritin zërin, të marrim sa më shpejtë informata për familjarët e vet të zhdukur, Jo të zhdukur por këta janë familjarë të kidnapuar me dhunë dhe të pagjetur që 23 vite”, thotë Vokshi.

Ajo bën të ditur se për botimin e këtij libri është mbështetur nga “Integra” dhe Bashkimi Evropian.

Ndërsa Izet Abdyli redaktor i librit tha se çdo rrëfim në këtë libër është dramë në vete dhe paraqet realitetin e trishtë të luftës në Kosovë.

Abdyli: Familjarët tregojnë realitetin e trishtë të luftës në Kosovë

“Çdo rrëfim në këtë libër është një dramë në vete. Në këto rrëfime shpërfaqet një realitet i trishtë i luftës në Kosovë, ku civilë të paarmatosur, të moshave e gjinive të ndryshme kanë rrëmbyer në prani të familjarëve dhe ende nuk dihet për fatin e tyre. Këto rrëfime përveç që janë një thirrje për institucionet shtetërore të bëjnë me shume për te pagjeturit, personazhet e rrëfimeve sikur ua lehtëson barrën e dhimbjeve që u rëndon ndër vite. Rrëfimet janë të sinqerta dhe ofrojnë dëshmi e fakte për kohën e rrëmbimit apo vrasjen, vendin dhe dëshmitarët e ngjarjeve. Pothuaj nga te gjitha rrëfimet del vetëm një kërkesë , të riatdhesohen eshtrat e të pagjeturve”, tha ai.

Nesër shënohet dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur dhe ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave të zhdukur më dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat