Gjykata Komerciale përfundimisht ka caktuar datën kur do të mbahet dhe seanca e parë. Si një institucion i ri i drejtësisë, Gjykata Komerciale tashmë ka caktuar 9 shtatorin 2022, ku do të mbahet seanca e parë në lidhje me një rast që bie në kompetencat e saj.
Në fakt, paraprakisht, Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës, njofton se me 25 dhe 26 gusht 2022, ka vendosur për 60 lëndë në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë.
Kështu, Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale kanë marr vendime në 30 çështje, po ashtu edhe Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate, kanë vendosur në 30 lëndë.
Të gjitha rastet kanë të bëjnë kryesisht me çështje përmbarimore të natyrës urgjente.
Kështu, Gjykata Komerciale njofton se seanca e parë e caktuar në Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative të Gjykatës Komerciale, mbahet më 9 shtator 2022 me fillim nga ora 09:30 në zyrën numër 411 të kësaj gjykate.
“Të gjitha seancat gjyqësore në Gjykatën Komerciale janë të hapura për publikun, përveç rasteve, në të cilat me ligj përcaktohet ndryshe”, njofton gjykata.
Përndryshe, Gjykata Komerciale deri më tani ka pranuar mbi 8 mijë lëndë.
Në Dhomat e Shkallës së Parë janë pranuar 6.754 lëndë ndërsa në Dhomat e Shkallës së Dytë, 1.342 lëndë.
Të gjitha lëndët janë regjistruar në regjistrat manual të gjykatës, ndërsa janë në proces të regjistrimit edhe në Sistemin për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve - SMIL.