Ish Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në një postim të saj në Facebook ka dënuar rastin e dhunimit të një vajze 11 vjeҫarë në Prishtinë.
Ajo shprehet e shokuar nga ky rast, derisa thotë se vajza në këtë moshë duhej të jetë duke krijuar imazhin e saj, ndërsa sulmi i tillë lë pasoja të paimagjinueshme.
Jahjaga shkruan më tutje se, ‘aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë’.
Postimi i plotë:
E shokuar nga dhunimi seksual i një vajze 11 vjeçare në Kosovë.
Në atë moshë, kur vajza duhet të jetë duke e krijuar imazhin e saj për botën ideale, një sulm i tillë i lë pasoja të paimagjinueshme, me të cilat kjo vajzë, viktima më e fundit e një sulmi seksual, duhet të jetojë pëgjithmonë.
Andaj, i bëj thirrje organeve të drejtësisë që t'i dënojnë sulmuesit me të gjithë forcën e ligjit, ndërsa organet e tjera të merren me rehabilitimin psikologjik të viktimës, e cila ka nevojë më shumë se kurrë më parë ta shoh që shteti është aty për të.
Shoqëria jonë duhet t'i dënojë ashpër veprimet e tilla, si dhe të gjithë ne kolektivisht duhet të punojmë që viktimave tu japim gjithë mbështetjen e nevojshme.
Aktet e tilla çnjerëzore nuk i kanë hije Kosovës, kemi mjaft plagë të hapura. Dhuna ndaj grave e vajzave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë!