Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka thënë se dhuna ndaj vajzave dhe grave është duke u shpeshtuar ditë e më shumë, sepse sipas saj, sistemi i drejtësisë nuk po arrin të ofrojë mbështetje të fuqishme për t’i mbrojtur ato.
Shoshi, e cila është edhe anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës u shpreh se për shkak të mos-ofrimit të sigurisë maksimale, atëherë “po vijmë deri te rrezikshmëria maksimale”.
Rrjedhimisht, sipas ligjvënëses opozitare, kështu rastet e dhunës e deri te vrasjet e vajzave dhe grave bëhen temë e përjavshme. Ajo ka shpërndarë njoftimin për organizimin e një proteste që do të mbahet nesër në Prishtinë për mbrojtjen e vajzave dhe grave në Kosovë.
“Në këto raste NUK mjafton vetëm shprehja e shqetësimit me fjalë nga krerët institucional. Duhet të punohet më shumë që institucionet e sistemit të drejtësisë e sigurisë të jenë të vëmendshëm dhe të reagojnë pa u bërë vonë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vajzave dhe grave”, shkroi ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook, pas dhunimit të një vajze 11-vjeçare në Prishtinë.
Për këtë rast që tronditi opinionin publik, Policia e Kosovës ka arrestuar katër të dyshuar, dy prej të cilët u është caktuar masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë, ndaj të dyshuarit tjetër që është identifikuar nga Policia, po vazhdojnë kërkimet deri në gjetjen e tij.