Haradinaj dhe Abdixhiku deklarohen pas takimit me Kurtin - kërkohet përfshirja e Bidenit në dialogun me Serbinë

Aktuale

Haradinaj dhe Abdixhiku deklarohen pas takimit me Kurtin - kërkohet përfshirja e Bidenit në dialogun me Serbinë

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 15:15 Përditësuar në ora: 17:20 më 30.08.2022
Foto nga takimi

Abdixhiku: Kurtin e kishte marrë malli për opozitën, neve jo!

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha me shaka se kryeministrin Albin Kurti e kishte marrë malli për opozitë, pas takimit me të në Kuvendin e Kosovës.

Abdixhiku tha pas takimit se ata s’i kishte marrë malli për Kurtin.

“Sa i përket mallëngjimit, nuk patëm as mallëngjim e as dëshirë të tillë, ndonëse kryeministrin e kishte marrë malli për opozitën, por neve jo aq për të”, tha ai.

Kryeministri Kurti në deklarimin e parë pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, tha me thumb se “Escobarin e kishte marrë malli për opozitën”, referuar takimit të emisarit amerikan me krerët e partive opozitare.

Haradinaj: Jo marrëveshje një nga një, Kosova të fokusohet në marrëveshje për njohje reciproke

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se i ka tërhequr vërejtjen këtij të fundit se strategjia e Serbisë është të shkohet me marrëveshje një nga një.

Sipas Haradinajt, nëse Serbia arrin ndonjë sukses në marrëveshjen e asociacionit atëherë e njëjta mund të mos vazhdojë dialogun, duke theksuar se veprime të tilla Beogradi zyrtar i ka ndërmarrë edhe në të kaluarën. 

Haradinaj: Rreziku është që Serbia të dështojë dialogun përmes asociacionit 

“Rrezik është që Serbia të insistojë që përmes çështjes së asociacionit, ose të arrijë një sukses ose të dështojë dialogun, për shkak se koha i konvenon Serbisë. Kosova dhe Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet jo në marrëveshje një nga një, jo në asociacionin, por në marrëveshje obligative ligjore, pra për njohje reciproke Kosovë-Serbi, por që është gjithëpërfshirëse, që nënkupton obligimet e së kaluarës, obligimet e së tashmes. Sa i përket asociacionit, e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti duhet të kërkojë zyrtarisht që çështja e dialogut të kalojë nga Bashkimi Evropian te presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, do të sigurohej marrëveshja finale dhe garancia e implementimit të saj.

Haradinaj: Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofoli i dialogut të kalojë te Biden 

“Ia thash kryeministrit Kurti që Bashkimi Evropian vërtet ka kryer një punë të rëndësishme në dialog, mbi një dekadë, por rrethanat pulitke, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE nuk është më neutral, është në luftë me Rusinë, njëjtë si e gjithë bota. Mendoj se tash është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofolin e dialogut t’i kalohet presidentit të Amerikës, Joe Biden, sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garancia në implementim”, ka thënë Haradinaj

​Kurti deklarohet pas takimit me Haradinajn e Abdixhikun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të shfuqizojnë vendimin për reciprocitet për dokumente deri në momentin kur të njoftohet zyrtarisht nga policia, se pala serbe nuk lëshon dokumente shtesë për qytetarët kosovarë.

Pasi përfundimit të takimit me dy prej liderëve të opozitës, Kurti u shpreh i vendosur për zbatimin edhe të vendimit për targat ilegale. 

Ndërkohë, Kurti liderët opozitarë i ka njoftuar për kornizën e përgjithshme për marrëveshjen finale.

Kujtojmë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi refuzoi të marrë pjesë në këtë takim.

​Abdixhiku: Dialogu pjesë-pjesë është interes vetëm i Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se ky i fundit u ka bërë një prezantim të gjashtë pikave lidhur me dialogun me Serbinë.

Sipas kreut të LDK-së, opozita është njoftuar më në detaje nga ndërkombëtarët lidhur me këtë proces dhe shtoi se dialogu i copëzuar dhe teknik është interes vetëm i Serbisë. 

Duke përcjellë qëndrimin e partisë, Abdixhiku ka thënë se e mbështet një marrëveshje që sjell njohjen dhe mbron Kushtetutën dhe integritetin territorial të Kosovës.

Kryetari i LDK-së ka thënë se ftesa e Kurtit për takim është e vonuar.

Abdixhiku: Dialogu i copëzuar është interes vetëm i Serbisë 

“Partitë opozitare janë informuar në detaje nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në masën shumë më të thellë se çfarë na informoi sot kryeministri. Kryeministri bëri një prezantim të gjashtë pikave që tashmë janë të njohura për publikun dhe në këtë drejtim nuk pat ndonjë risi. Ne besojmë që dialogu i copëzuar, pjesë-pjesë është interes vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës, prandaj sa më shumë që Kosova merret me marrëveshje teknike, sa më tepër që mbesim në këtë proces, sa më gjatë që mbesim në këtë proces, Kosova ushqen status quo, ushqen interesat që nuk vinë në frymën që dëshirojmë ta ndërtojmë, andaj i kërkuam kryeministrit që të jetë i guximshëm , të shkojë në dialog së bashku me aleatët tanë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të kërkojë marrëveshjen finale me njohjen reciproke në thelb të saj, me respektim të Kushtetutës në thelb të saj dhe me respektim të integritetit territorial të vendit në thelb të saj. LDK një marrëveshje të tillë, pra që sjell njohje, e mbron Kushtetutën, e mbron integritetin territorial të Kosovës e mbështet pa dallim, dhe çdo vonesë në këtë drejtim nuk e mbështet dhe nuk e ushqen politikisht”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti i ka të gjitha mjetet në dispozicion që të ushtrojë obligimin e tij kushtetues, ndërsa i ka kërkuar atij të raportojë në Kuvend mbi ecurinë e procesit të dialogut.

Abdixhiku: Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese 

“Marrëveshjet ndërkombëtare të Kosovës janë obligime kushtetuese për çdo qeveri, qeveritë vinë e shkojnë, marrëveshjet mbesin për vendin, po ashtu besojmë që ka një interpretim të Gjykatës Kushtetuese mbi asociacionin që duhet respektuar dhe duhet të jetë bazë e organizimeve të ardhshme që me këtë rast në Kosovë duhet t’i impelemtojmë. Ky është qëndrimi jonë, nuk është i ndryshueshëm, por është një platformë e dorëzuar tash e një vit te kryeministri në zyrën e tij. Qëndrojmë në ato bindje. Besojmë që respektimi i rendit kushtetues, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është jetësor, integriteti territorial dhe njohja reciproke, këto tri parimeve ne u japim mbështetje të plotë”, ka thënë kreu i LDK-së. 

Ai ka thënë se presin që procesi i dialogut të merr hapa të ri zhvillimor dhe të sigurojë njohje sa më parë duke shtuar që kjo duhet të bëhet në rrugëtim të ngushtë me shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas tij duhet shfrytëzuar momentumi politik me administratën e presidentit Joe Biden.

Haradinaj: Kurti t’i kërkojë Biden që SHBA të merr përgjegjësinë për dialogun Kosovë-Serbi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrin Albin Kurti që të kërkojë që përgjegjësinë për dialogun Kosovë-Serbi ta marrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Joe Biden.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Haradinaj tha se ai duhet të ketë fokus të veçantë në integritetin territorial të vendit, sovranitetin dhe kushtetueshmërinë. 

Ndërkohë, theksoi se marrëveshjet një nga një me Serbinë janë të dëmshme.

​Abdixhiku: Dialogu për tema teknike është vetëm interes i Serbisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se vazhdimi i dialogut të copëzuar për tema teknike është vetëm interes i Serbisë.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ftesën e të cilin e konsideroi të vonuar, Abdixhiku tha se janë njoftuar nga ai mbi gjashtë pikat për marrëveshjen finale. 

Para gazetarëve, ai tha se më shumë janë njoftuar nga ndërkombëtarët për dialogun sesa nga Kurti. 

Ai tha se kërkoi nga Kurti të raportojë në Kuvend për dialogun. Ndërkohë ritheksoi mbështetjen për reciprocitetin ndaj Serbisë.

Nis takimi Kurti, Haradinaj, Abdixhiku

Takimi i ftuar nga kryeministri Albin Kurti, me përfaqësuesit e partive opozitare, në Kuvendin e Kosovës, tashmë ka nisur.

Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ndërkaq është kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ai i cili ka refuzuar të jetë pjesë e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat