Ish-drejtor i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se dorëheqja e sotme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti nuk ka të bëjë me arsyet që ai ka dhënë.
Sipas Qalajt, kjo dorëheqje nuk ka të bëjë me rastin e fundit që lidhet me dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë.
Deputeti aktual i PDK-së ka thënë se ka pasur informacione se Mehmeti do të shkarkohej e sipas tij, ky rast është shfrytëzuar për shkarkimin e tij përmes një dorëheqjeje të orkestruar.
“Unë kam pasur informata nga burime të ndryshme që drejtori do të shkarkohet disa ditë më herët, mund të them edhe që një javë më herët, mirëpo është shfrytëzuar ky rast si pretekst në mënyrë që drejtori i policisë të ofrojë dorëheqjen, por në fakt atij i është kërkuar dorëheqja sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Qalaj në Klan Kosova.