“Boll më, nuk durojmë”, protestuesit skuqin Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë

Aktuale

“Boll më, nuk durojmë”, protestuesit skuqin Ministrinë e Drejtësisë dhe Qeverinë

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 12:27 Përditësuar në ora: 16:01 më 31.08.2022
Pamje nga protesta

Protestë masive në Prishtinë, kërkohet drejtësi për 11-vjeçaren

Qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile por edhe fytyra publike sot u bashkuan dhe u bënë të gjithë një zëri për të protestuar kundër dhunës ndaj grave. Kjo protestë e cila u organizua nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kundër dhunimit të grave, u mbajt si shenjë revolte pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares prej 5 meshkujve.

Nën thirrjet “5 djem, 7 orë, çika 11 vjet”, “Boll ma”, “Pedofilët në burg”, “Duan vepra jo statuse”, “Çika e gra, jemi bashkë krahë për krahë“, “Nuk ka dështuar nëna, ka dështuar shteti”, protestuesit kërkuan reagim dhe mbrojtje e siguri për gratë dhe vajzat në Kosovë.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti” ku edhe nisi protesta, turma e njerëzve u nis drejt Ministrisë së Drejtësisë ku si shenjë proteste, objekti i kësaj ministrie u ngjyros me ngjyrë të kuqe.

Protestuesit më pas vazhduan duke brohoritur “Marre”, drejtë ndërtesës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovë, ku të dyja këto objekte po ashtu u gjuajtën me ngjyrë të kuqe.

Prej Policisë së Kosovë, protestuesit më pas vazhduan rrugën deri tek Kuvendi i Kosovës dhe më pas ndaluan tek Qeveria e Kosovës. Edhe këto dy objekte u ngjyrosen me të kuqe nga pjesëmarrësit në protestë.

Protestuesit gjatë marshit të tyre bënin thirrje dhe për shkarkim të prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve.

Aktivistja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Trina Binaku tha se vetëm në gjashtëmujorin e këtij viti janë raportuar 36 raste të përdhunimit të femrave.

Ajo tha se dhunimi i 11-vjeçares është alarm për të gjithë e sidomos për shtetin i cili tha se po vazhdon të jetë në anën e dhunuesve.

Binaku: Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2022 janë raportuar 36 raste të përdhunimit

Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2022 janë raportuar 36 raste të përdhunimit në polici për të kuptuar që dhuna nuk është vetëm një ngjarje e trishtuar dhe e shëmtuar siç po cilësohet nga disa është një shpërfaqje e dhunës sistematike që vajzat dhe gratë në Kosovë e përjetojnë në baza ditore. Rasti i përdhunimit të vajzës së mitur është alarm për të gjithë ne e pikë së pari edhe për shtetin i cili edhe sot vazhdon të jetë në anën e dhunuesve. Është pikërisht ky sistem patriarkal me të gjitha patericat dhe ai i cili është duke prodhuar vazhdimisht përdhunues... Në këtë shtet vajzat e vogla abuzohen në shtëpi, shkolla, rrugë e sheshe e paqe institucione publike e private për ta shpesh ka vetmi dhunohen për së dyti kur atyre nuk iu beson shteti i cili përveç që nuk iu beson i lë prapë në duart e dhunuesve”, tha ajo.

Ajo paraqiti edhe tri kërkesa kyçe që ishinkrijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.

Binaku: Durimit tonë paqësor po i vije fundi ‘Boll më’

Durimit tonë paqësor po i vjen fundi ‘Boll më’, ‘Nuk ka protesta paqësore më’... E përderisa ju jeni duke dështuar të na mbroni edhe ju jeni armiku ynë dhe ndaj jush do të ngrihemi nëse ju nuk filloni me procedimin e kërkesave tona për krijimin e mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimin e drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin dhe shpërndarjen e gazit për vetëmbrojtje, krejt çikat nga një sprejë në çantë”, theksoi ajo.

Dhunimi i 11-vjeçares ngjalli reagime të shumta edhe të fytyrave të njohura publike që edhe sot ishin në protestë si këngëtarja, Dafina Zeqiri e cila u pa nën shoqërimin e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, pastaj ishte edhe Shyhrete Behluli, deputeti i LVV-së, Armend Muja, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Protesta që kërkojnë drejtësi, mbrojtje dhe siguri për gratë pas dhunimit të 11-vjeçares sot do të mbahen edhe në Tiranë por edhe në Shkup.

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares është raportuar se ka ndodhur të shtunën në parkun e “Arbërisë”, ku Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona, ndaj 4 prej tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa për të 5 sot mbahet seanca gjyqësore.

Për shkak të këtij rasti, dje ka dhënë dorëheqje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ndërsa sot u dorëhoq edhe drejtori Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ali Gashi. 

Policia bllokon dyert e Kryeministrisë

Policia e Kosovës me trupa kanë bllokuar dyert e kryeministrisë.

Kjo pasi disa protestues tentonin të hynin brenda.

Protestuesit kanë gjuajtur ngjyrë të kuqe në objektin e Qeverisë, njëjtë vepruan edhe para Ministrisë së Drejtësisë.

Më pas protestuesit u qetësuan dhe vendosën të ulën aty pranë policëve.

Ata po kërkojnë drejtësi për dhunimin makabër të 11 vjeçares nga  pesë persona në Prishtinë.

Protestuesit hedhin ngjyrë të kuqe edhe në objektin e Qeverisë

Pasi është hedhur ngjyrë e kuqe para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, njëjtë është vepruar edhe ndaj objektit të Qeverisë së Kosovës.

Po kërkohet drejtësi për dhunimin e 11 vjeçares nga pesë persona, në Prishtinë.

Protestuesit kanë kërkuar nga kryeministri të bëjë veprime e jo vetëm të shkruaj statuse në rrjetet sociale ku e dënon aktin e dhunës.

Mijëra njerëz janë grumbulluar në protestë për të kërkuar drejtësi.

Protestuesit me brohorima për Kurtin: Duam veprime, jo statuse në Facebook

“Duam veprime jo statuse”.

Kjo është thirrja para zyrës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit.

Protesta nisi te sheshi “Zahir Pajaziti”, vazhdoi te Ministria e Drejtësisë, më pas te Kuvendi e tash te kryeministria.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkruar të hënën për rastin e 11 vjeçares.

Ashtu kanë vepruar edhe presidentja dhe ministrat e Qeverisë.

Por protestuesit po kërkojnë që të ketë veprime e jo statuse në rrjetet sociale.

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, protesta bartet te Kuvendi

Protesta për të kërkuar drejtësi për 11 vjeçaren ka vazhduar edhe te Kuvendi i Kosovës.

Protesta nisi te sheshi “Zahir Pajaziti”, ku mblodhi mijëra njerëz.

Më pas ishte bartur te Ministria e Drejtësisë, ku është hedhur ngjyrë e kuqe në shenjë proteste.

E tash ka vazhduar te Kuvendi i Kosovës.

 

“Boll më, nuk durojmë", protestuesit skuqin Ministrinë e Drejtësisë

Qytetarë të shumë janë mbledhur po protestojnë në Prishtinë kundër dhunës së grave dhe vajzave. Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me kërkesat mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë.

Në këtë aktivitet po marrin pjesë edhe fytyra publike e pjesëtarë të shoqërisë civile.

Nën brohoritjen “Kërkojmë mbrojtje për vajzat dhe gratë”, po kërkohet dënime meritore për të gjithë përdhunuesit e vajzave dhe grave.

Protestuesit vazhdimisht po brohorasin “Boll më nuk durojmë”, “Pedofilët në burg”, “Poshtë patriarkati”, “Poshtë përdhunuesit”, “Përdhunuesit në burg”.

Ndërsa në duar po mbajnë pankarta “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Çika e gra jemi bashkë krahë per krahë”, “Nuk ka dështuar nëna ka dështuar shteti”.

Po ashtu në duart e protestuesve po mbahen edhe fotografitë me emrat e pesë personave që dyshohet se dhunuan 11-vjeçaren.

Protestuesit kanë shkuar edhe në ndërtesën e Ministrisë së Drejtësisë ku kanë gjuajtur me ngjyrë të kuqe.

Nis protesta për rastin e 11-vjeçares së dhunuar, kërkohet mbrojtje për vajzat dhe gratë

Ka nisur në Prishtinë protesta e paralajmëruar kundër dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona. Aty po kërkohet drejtësi në mënyrë që dhunuesit ta marrin ndëshkimin e merituar.

Një numër i konsiderueshëm i janë bashkuar protestës për mbrojtjen e vajzave dhe grave, pas rastit të dhunimit seksual të vajzës së mitur.

Katër persona ndodhen në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, si të dyshuar për dhunimin e një 11-vjeçareje të shtunën në parkun e lagjes “Arbëria” në Prishtinë.

Tre nga katër të dyshuarit që po qëndrojnë në paraburgim janë të mitur.

Ndërsa, i moshës madhore, 19-vjeç, është edhe i dyshuari i pestë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat