Presidentja Vjosa Osmani sot gjatë një takimi me kryeministrin e Çekisë Petr Fiala në Pragë, ka thënë se shpreson që heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës të bëhet gjatë udhëheqjes së Presidencës Çeke.
Në një postim në Facebook, Osmani e ka quajtur urgjente përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave gjatë Presidencës çeke të Këshillit të BE-së.
“Ky vendim i vonuar për më shumë se katër vjet, shpresojmë të merret pikërisht në Çeki, vendin simbol të lirisë, i cili gjithnjë qëndroi në përkrahje të popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Në takim i bisedua edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Partneritetin për Paqe të NATO-s, si dhe thellimin e raporteve bilaterale.
Osmani ka falënderuar kryeministrin Fiala për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës.
Presidentja Osmani ndodhet për vizitë zyrtare në Çeki, ku gjatë ditës është takuar edhe me kryetarin e Senatit Çek, Milos Vystrcil.