Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i ka reaguar ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ky i fundit gjatë një konference për medie, ka thënë se mësimi do të nis nesër dhe se atyre që janë në grevë do t`u pezullohen pagat.
Duke reaguar për këtë, Zemaj ka thënë se sot për herë të parë në Kosovën e lirë, “regjimi i kuq” i dënoi grevistët me ndalje të pagës.
“Regjimi i kuq, fillimisht e dëshmoi që është dështues e tash edhe dënues.
Sot, për herë të parë në Kosovën e lirë, regjimi i kuq i dënoi grevistët me ndalje të pagës. Ky dënim ndaj grevistëve është pasojë e paaftësisë qeverisëse. E drejta për grevë është e garantuar me ligje vendore dhe konventa ndërkombëtare. Mos të harrojmë se, ishin po të njëjtat sindikata dhe po të njëjtit akterë sindikal, kur pushteti i sotëm, në cilësinë e opozitës së djeshme, përveçse i mbështeste, bashkë me ta edhe protestonte”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në vend të urimit për një fillim të mbarë të vitit shkollor; mësuesit, nxënësit dhe prindërit po privohen nga të drejtat e tyre, pikërisht nga paaftësia qeverisëse.
“Regjim i kuq, ndalni këto veprime dhe ofroni zgjidhje”, ka thënë Zemaj.