Ish-ministri i Energjetikës: Kursimi, opsioni për tejkalimin e krizës në dimër

Aktuale

Ish-ministri i Energjetikës: Kursimi, opsioni për tejkalimin e krizës në dimër

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 20:34
Ethem Çeku

Reduktimet 6 me rrymë e 2 pa të po vazhdojnë në Kosovë, tash e disa ditë.

Kriza energjetike që ka kapluar vendin në pikë të verës pritet të thellohet akoma më shumë dimrit, kur konsumi i energjisë elektrike është më i lartë.

Nga KEDS nuk janë përgjigjur nëse do të ketë ashpërsim të reduktimeve, ditëve në vijim.

Veçse ish-ministri i Energjetikës, Ethem Çeku thotë se zgjidhja e vetme për të kaluar më lehtë dimrin e paralajmëruar si të vështirë është kursimi i energjisë.

“Një nga elementet parësore është kursimi i energjisë, në veçanti në sektorin publik apo ndriçimet publike duhet të zvogëlohen”, theksoi ai.

Kjo në aspektin afatshkurt. Në atë afatgjatë, ndërtimi i blloqeve të reja, sipas tij, është i vetmi opsion që e nxjerr Kosovën nga terri në dritë.

“Kosova i ka harxhu mbi 1 miliard euro në blerjen të energjisë nga jashtë që nga paslufta dhe gjendja nuk është stabilizuar. Qeveria duhet të hapë mundësinë ë ndërtimit të blloqeve të reja rreth Kosovcës apo diku tjetër, ku do të mund të prodhoheshin edhe 400 apo 500 megavatë më shumë”, theksoi Çeku.

Ndërtimi i blloqeve të reja do të duhej të shoqërohej edhe me rritje të numrit të punëtorëve të KEK-ut.

Këta aktualët, sipas Nexhat Llumnicës, nënkryetar i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk janë të mjaftueshëm as për blloqet ekzistuese.

“KEK-u ka një numër të vogël. Nga 5 mijë e 300 më 2016, tani janë 3 mijë e 600. 1700 mungesë. Është e vërtetë që edhe me pasë një termocentral të ri, KEK-u nuk do të mund të prodhontë më shumë energji nëse nuk do të pranonte punëtorë të rinj”, theksoi Llumnica.

Ky thotë se po të bëhej rivitalizimi i Kosovës A, vendi nuk do t`i kishte telashet që i ka tash me energji.

“Do të mendonim vetëm për eksportin dhe jo për importin. Do të zgjidhej situata”, u shpreh Llumnica.

Rreth 95 për qind energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli.

Në anën tjetër, rryma që prodhohet nga burimet e ripërtërishme është e vogël: 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet solare.

Sipas KOSTT-it, konsumi i energjisë elektrike në periudhën korrik-gusht sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi i përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.

Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj gjatë kësaj stine arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Megjithatë, çmimi për megavatet e importuara është rritur shumëfish më shumë këtë vit sesa viteve paraprake.

Më 30 gusht 2022, në tregun hungarez të energjisë elektrike, HUPX, çmimi për një megavat orë në kohë të pikut arriti në 1047.1 euro për megavat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat