Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi ndryshime në Qeveri, më saktë një riformatim të kabinetit të tij qeveritar.
Por, cilët Ministra mund të mos jenë shumë shpejtë pjesë e ekzekutivit? Sipas analistit Imer Mushkolaj ndër ata që duhet të largohet urgjentisht është ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi.
“Qeveria ka nevojë të riformatohet. Disa ministra nuk kanë treguar përformancën e duhur dhe kryeministri është dashur më herët të i largojë ata. Në krye të Shëndetësisë ai ka emëruar z.Latifi, i cili mund të jetë profesionist i fushës, por nuk e ka idenë si ta menaxhojë një sektor kaq të rëndësishëm, ai duhet larguar urgjentisht”.
Tutje, Mushkolaj shtoi se probleme menaxhimi ka edhe në ministri të tjera, shefat e të cilave kanë dështuar në investime kapitale.
“Probleme menaxhimi ka edhe në ministri të tjera, shefat e të cilave kanë dështuar në investime kapitale. Kjo situatë duhet të jetë një alarm për Kurtin që të marrë masa sa më shpejt në menyrë që ta përmirësojë e dinamizojë qeverisjen” – përfundoi Mushkolaj.
“Nuk kemi dashur të merremi me ndryshime ministrash e stafi politik gjatë kësaj kohe sepse kemi pasur probleme të tjera, por ne e dimë që askush, asnjëri nuk është e nuk ndihet i paprekshëm” –tha ndër tjerash Kurti në “paralajmërimin” e tij për Deputetët.