Reagon ashpër ​Kurti: Komunat i shpallen luftë shtetit, ta bojkotosh shkollën i bie ta bojkotosh shtetin

Aktuale

Reagon ashpër ​Kurti: Komunat i shpallen luftë shtetit, ta bojkotosh shkollën i bie ta bojkotosh shtetin

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 11:39 Përditësuar në ora: 15:10 më 03.09.2022
Albin Kurti

​Kurti: Ta bojkotosh shkollën i bie ta bojkotosh shtetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit që ka hyrë në grevë që nga 25 gushti, derisa kërkon që ta ndalin grevën dhe nga dita e hënë të fillojnë mësimin.

Po ashtu pakoja e re që e prezantuan bashkë me ministrin e financave, Hekuran Muratin, ka thënë se nuk ka të bëjë me ligjin me pagat, por është për t’u përballur me inflacionin.

Kurti sot në një konferencë për media, tha duke menduar veç për paga, po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. 

Ai ka theksuar se shkolla është shteti dhe ta bojkotosh shkollën, d.m.th. ta bojkotosh shtetin.

Kurti: Shkolla është shteti, ta bojkotosh shkollën d.m.th. ta bojkotosh shtetin

“Shkolla është shteti, ta bojkotosh shkollën d.m.th. ta bojkotosh shtetin. Ne kemi bërë shumë luftë dhe përpjekje për shkollë që tash ta bojkotojmë atë me greva ekstremiste. Andaj unë besoj se duhet të fillojë një orë e më parë mësimi nëpër shkolla dhe iu bëjë thirrje të gjithë mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë dhe aty t’u japin mësim të vegjëlve tanë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se takimet i zhvillon sipas pozitave që kanë, andaj ka shkuar sipas rregullave duke e takuar kryetarin e BSPK-së. Po ashtu, ka thënë se nuk mungon dialogu social, porse mungon racionaliteti i kërkesave.

Ai thotë se kërkesat që bëhen në mënyrë delirante, e zhvlerësuan vet sindikatën.

Kurti: Nuk mungon dialogu social, mungon racionaliteti i kërkesave

“Andaj unë do ta vazhdoj komunikimin me BSPK-në, nuk mungon komunikimi, nuk mungon dialogu social, mungon racionaliteti i kërkesave. Unë kam hall për këto kërkesa që bëhen në mënyrë delirante, sepse këto e zhvlerësuan vet sindikatën. Unë nuk besoj që mund të kemi shtet demokratik pa sindikata të fuqishme. Por, imazhi i sindikatave, fuqia e tyre negociatore, serioziteti i tyre, të gjitha këto vinë nëpërmjet dëshirave delirante, në vend se të kërkesave racionale”, theksoi Kurti.

Para gazetarëve, ai tha se është për sindikatat e fuqishme edhe në sektorin privat jo vetëm në publik, duke shtuar se sindikatat i mbrojnë punëtoret kolektivisht, shtesë edhe prej ligjit, mirëpo sipas tij kërkesat absurde që janë më shumë dëshira arbitrare sesa mundësi reale, nuk mund të qojnë shtetin para.

Më tej, Kurti tha se në një Kosovë me të cilën testet e Pisas po na nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksional, ta shantazhosh qeverinë, është papërgjegjësi absolute.

Kurti: Ta shantazhosh qeverinë është papërgjegjësi absolute

“Në një Kosovë me të cilën testet e Pisas po na nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksional, ta shantazhosh qeverinë, ta kërcënosh qeverinë me rrenim të shtetit, se shkolla është shteti është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi , por ka disa muaj që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është duke studiuar e analizuar deri te kjo që e prezantuam sot”, vijoi Kurti.

Sipas tij, duke nxjerrë analfabetë funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. 

Kurti: Duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale

“Pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale, kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik. Kur t’i nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale ose punëtor krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihet çfarë po ndodhë, veç kërkese për pare, për ta bankrotu shtetin, për ta shkatërruar shtetin, është papërgjegjësi totale”, tha ai.

Ai në konferencën për media theksoi se pakoja e re financiare, është për të luftuar inflacionin dhe s’ka të bëjë me kërkesën për miratimin e Ligjit për Paga.

Kurti: Pakoja nuk ka të bëjë me ligjin, me pagat

“50 euro të cilat në do t’i japim si shtesë të gjithë punëtoreve në sektorin publik, duke filluar nga muaji shtator do të vlejnë për muajt në vijim të këtij viti fiskal. Pastaj viti 2023 është vit tjetër fiskal. Por, kjo nuk ka të bëjë me ligjin, me pagat..31:43 Kjo është për t’u përballur me inflacionin, nuk ka të bëjë me ligjin e pagave”, tha ai.

Në fund, Kurti bëri thirrje komunave të Kosovës që të pushojnë me sjelljen destruktive e me bojkotin karshi Ministrisë së Financave. Sipas tij, bojkoti që mos të dorëzohen listat te kjo ministri nuk është thjesht politik antiqeveritare por është anti shtetërore.

Kurti: Bojkoti që një pjesë jo e vogël e komunave, ja bëjnë ministrisë së financave d.m.th. t’i shpallesh luftë shtetit

“Realiteti që kemi nuk është thjesht vendim qeveritar, është edhe zbatim ligjor. Ministri i Financave ka obligime ligjore, ky duhet të kujdeset që kush s’punon, s’paguhet. Rrënohet sistemi nëse ne paguajmë njerëz që s’punojnë. Tash bojkoti që mos të dorëzohen listat te Ministria Financave nuk është thjesht politik antiqeveritare por është anti shtetërore, kjo është m’i shpall luftë shtetit. Bojkoti që një pjesë jo e vogël e komunave, ja bëjnë Ministrisë së Financave d.m.th. t’i shpallesh luftë shtetit, e përkundër kësaj ne jemi racional”, ka shtuar Kurti.

​Kurti: Reciprociteti gradual vazhdon sepse me Serbinë kemi mosnjohje reciproke

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Serbia nuk e njohin shtetësinë e njëra-tjetrës dhe derisa të ndodhë njohja reciproke, vendi ynë do të vazhdojë me reciprocitet gradual, drejt reciprocitetit të plotë.

Kurti në konferencën për media tha se janë në rregull sa i përket marrëveshjet me dokumente me Serbinë.

Kurti: Reciprociteti me dokumente po ndodh, targat më 31 tetor

“Është parë se gjithçka po shkon siç kemi thënë ne më herët ose do ketë dokumente hyrëse dalëse edhe në anën e kufirit të Kosovës edhe atë të Serbisë ose në asnjërën prej tyre, doli në asnjërën prej tyre. Reciprocitetin në vend për neve është në rregull edhe Bërnabiq le të hyjë në Kosovë me letërnjoftimin e autoriteteve të ndryshuara në Beograd dhe le ta shohin se gjithçka po funksionon si një shtet demokratik, i cili është edhe më demokratikë se sa Serbia gjithsesi po madje edhe më i pavarur se Serbia. Sa i përket targave, ne do të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket aspektit diplomatik dhe demokratik, mirëpo unë edhe një herë i ftojë të gjithë qytetarët e komitetit serb që kanë asi lloj targash KM,PR etj.. që t’i konvertojnë sa më parë sepse i kanë këto dy muaj për t’i përfituar deri në 5 mijë euro duke mos paguar TVSh , akcizë dhe taks doganore. Afati është 31 tetori siç iu kemi deklaruar tashmë dhe besoj që sa më parë e bëjmë këtë aq më mirë është jo vetëm për shtetin tonë dhe ligjshmërinë po edhe ata vetë. Pra ata përfitojnë me këtë, nuk humbin dhe le të mos harrojmë që bëhet fjalë për disa mijëra vetura sepse një pjesë e madhe e serbëve të Kosovës tashmë i kanë targat e RKS, ashtu siç i kanë letërnjoftimet e Republikës së Kosovës, pra janë diku mbi njëqind e tridhjetë ë pesë mijë letërnjoftime të Republikës së Kosovës që i kanë qytetarët e nacionalitetit serb. Vetëm disa mijëra nuk kanë letërnjoftime dhe si disa mijëra vetura nuk i kanë targat RKS. Pra po flasim për një pakicë e cila nuk ka pse i mban pengë të tjerët”, tha ai.

Kurit është pyetur edhe nëse ai do ta vizitojë Luginën e Preshevës, por tha se të hënë atë pjesë do ta vizitojë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, por që nuk tregoi se kur ai personalisht do ta vizitojë Preshevën.

Kurti: Ata e kuptuan se do të shkojmë në Preshevë dhe bën kërkesë që Bërnabiq të vjen në veri

“Agjenda jonë qeveritare qysh më herët ka paraparë një vizitë më Luginën e Preshevës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc edhe zyrtarët e qeverisë do të shkojnë të hënën, përshtypja ime është që kur e kanë kuptuar që do shkojnë ministra të qeverisë sime në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, kanë kërkuar që edhe ata të vinë në veri, por ne bëjmë planin tonë, agjendën tonë qeveritare, unë do shkojë një ditë por nuk është shkuarja jonë të hënën reagim, përkundrazi kur ata kanë kuptuar që ne do shkojmë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, e kanë bërë kërkesën që edhe Bërnabiq të vijë në veri të Mitrovicës, Zveçan dhe Leposaviq”, tha ai.

Sipas tij,Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë dhe shumë vendime që merr Serbia janë kryekëput ilegale për institucionet dhe popullin tonë. 

Kurti: Me Serbinë kemi mosnjohje reciproke

“Ne po vendosim reciprocitet për hirë të qytetarëve por për neve Serbia nuk është shtet që njihet dhe në përgjithësi ne kemi problem me vendimet e atij shteti veç se kemi vendosur reciprocitetin dhe do të vazhdojmë me reciprocitet të mëtutjeshëm, gradual, drejt reciprocitetit të plotë që është edhe fryma e dialogut në Bruksel por edhe është karakteri i marrëveshjes që duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër”, tha ai, duke shtuar se reciprociteti do të ndodhë deri në njohje.

​Komunat nuk ia dërguan listat e grevistëve, Qeveria detyrohet t’i jep pagat pa ndalesa

Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka dhënë detaje për pakon kundër inflacionit dhe ka akuzuar komunat se kanë dërguar listat për pagat pa cekur personat që janë në grevë. Qeveria sipas tij, i ka kërkuar sërish që të rifreskojnë listat por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Megjithatë, shtoi se janë të detyruar të procedojnë listat pakorrigjuara. 

Murati duke prezantuar pakon për inflacionit, tha se subvencionimi për faturat energjinë elektrike do të nis nga muaji shtator, andaj është e rekomandueshme që secili të nisim të kursejmë sado që është e mundur në mënyrë që të përfitojnë qytetarët por edhe të mos rendohet gjendja me energjinë elektrike.

Sipas tij, Ministria e Ekonomisë është duke përgatitur një pako tjetër për masa mbështetëse sa i përket rritje së evidencës nëpër shtëpitë tona.

Ai u ndal edhe te projektligji për punë publike, i cili është draftuar dhe është konsultime të brendshme dhe do të procedohet në Qeveri e Kuvend. Sipas tij, nëpërmjet këtij ligji për pjesën e dytë të këtij viti, kontratat publike do të mbështeten me kompensim për çmimet e rritura. 

Murati: Rritja për pensionistët do të bëhet nga muaji tetor

“Dyfishimi i asistencës sociale do të fillojmë nga ky muaj edhe shtesa për inflacion për sektorin publik do të fillojë nga muaji shtator, për pensionistët meqenëse jemi afër datës së procedimit të pagesës, kjo do të bëhet nga muaji tetor, për studentët nga muaji nëntor....u bëjë thirrje bizneseve dhe punëtorëve që të diskutojnë me punëdhënësit e tyre që kjo rritje të bëhet sepse shteti do ta subvencionoj gjysmën e rritjes së pagës së tyre, pra për tre muajt e ardhshëm“, tha ai, duke shtuar se punëtoret e ndërmarrjeve publike nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi lista është në thesar ose listat do t’i marrin në ndërmarrje.

Ai është pyetur edhe për subvencionimin e energjisë eklektike.

Murati: Kushdo që kursen në shtator energjinë elektrike krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar do të subvencionohet

“Subvencionimi do të jetë asisoj që kushdo që kursen në muajin shtator energjinë elektrike dhe shpenzon më pak kilovat se sa ka shpenzuar në shtator të vitit të kaluar, do të subvencionohet...psh në vitin e kaluar në shtator një familje ka shpenzuar 1000 kilovat orë dhe këtë muaj shpenzon 900 kilovat orë llogaritet se i ka kursyer 100 kilovat orë, pra për këtë përqindje ne do ta mbështesim në subvencionimin e faturës, pra subvencionimi do të jetë 20 përqind të faturës së këtij muaji“, shtoi ai, duke shtuar se nuk kanë nevojë të të dhënat do të sigurohen nga operatorët dhe Zyra e Rregullatorit për Energji dhe subvencionimi do të bëhet direkt në llogari të tyre si konsumatorë.

E sa i përket çështjes së shtesës për sektorin publik, tha se niveli komunal ka bërë një papërgjegjshmëri, pasi Qeveria ka kërkuar që lista të korrigjohet për shkak se ligji kërkon që të paguhet ai që punon, por komunat kanë refuzuar t’i përditësojnë listat.

Murati: Zyrtarët komunal nuk respektuan ligjin, do të procedojmë me listat dhe pagat

“Në kuadër të situatës së rënd ekonomike e shohim të domosdoshme edhe të procedojmë me lista, megjithatë, ligji do të duhej të zbatohet. Zyrtarët komunal janë përgjegjës për zbatimin e ligjeve në fuqi. Në të kaluarën ligjet jo domosdo janë zbatuar sepse ligjet kanë qenë si llastiku, mirëpo, ligjet që janë në fuqi duhet të zbatohen dhe ne do të ndërmarrim hapat që ata që qëllimshme nuk e zbatojnë ligjin dhe e dëmtojnë buxhetin të përballen me masat që parashohin ligjet në fuqi“,tha ai.

Kurti i çon mesazh SBAShK-ut: Nuk shantazhohemi, 3/4 e fëmijëve janë analfabetë funksionalë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është kërkesë absurde e SBAShK-ut për ndarjen e 100 eurove çdo muaj deri të procedohet ligji i pagave.

Sipas tij, në një Kosovë me të cilën testet e PISA-s po e nxjerr 3/4 e fëmijëve si analfabetë funksionalë, “ta shantazosh qeverinë është papërgjegjësi absolute”.

Shefi i qeverisë deklaroi se nuk shantazhohen nga askush pasi shteti nuk krijohet nga shantazhet.

“Nëse kryetari i BSPK-së thotë se nuk jam më kryetar unë e takoj kryetarin. Si kryeministër unë e takoj kryetarin e BSPK-së. Ai është zgjedhur në një kongres të BSPK-së, të cilët më kanë ftuar edhe mua. E kam për detyrë dhe bindje që ta takoj kreun e BSPK-së. Greva është instrument legjitim sindikal, por hapi i fundit jo i pari. 50 eurot që do t’i japim për punëtorët publik nga muaji shtator për këtë vit në muajt fiskalë”.

“Kjo s’ka të bëjë me ligjin për paga që do ta sjellim në Kuvend. Kjo është për përballje me inflacionin, jo për ligjin e pagave. Kërkesa absurde e 100 eurove në arsim deri te projektligji i pagave, është bërë që të krijohet projektligji do të kemi edhe më shumë se kaq. Me një Kosovë me të cilën testet e PISA-s po na nxjerrin 3/4 e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazosh qeverinë është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”, theksoi Kurti në një konferencë për media.

S’iu dolën pagat zyrtarëve komunalë, Murati “gjuan topin” te komunat

Ministri i Financave, Hekuran Murati i ka fajësuar zyrtarët financiarë të komunave nëpër Kosovë për shkak se nuk i kanë dorëzuar listat e punëtorëve dhe rrjedhimisht nuk iu kanë dalë pagat për muajin shtator.

Ai tha se kjo ka qenë një papërgjegjshmëri nga ana e nivelit komunal dhe se mos-ekzekutimi i pagave nuk ka ndodhur për faj të qeverisë.

Megjithatë, ai shtoi se ligji duhet të zbatohet se nuk është si “llastiku” siç ka qenë në të kaluarën.

“Do ta them me keqardhje ka qenë një papërgjegjshmëri nga ana e nivelit komunal. Një gjë të tillë s’ka ndodhur për faj të qeverisë, pas datës 10 prandaj shërben mekanizimi për përditësim, por niveli komunal nuk e ka bërë pavarësisht pritjes. Do të shohim gjatë ditëve në vijim, marrë parasysh se e gjithë administrata komunale ka bartur pasojat se komuna nuk ka dorëzuar listat. Ligji duhet të zbatohet, zyrtarët komunalë janë përgjegjës për zbatimin e ligjit në fuqi”, shtoi ai në një konferencë për media.

Murati fton bizneset t’ua rrisin pagat punëtorëve: Do ta subvencionojmë gjysmën

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se do t’i ndalin në ndihmë të gjitha bizneseve që do të ua rrisin pagat punëtorëve të tyre.

Ai tha se kjo shumë do të subvencionohet gjysma nga ana e pushtetit për tre muaj radhazi.

“Do të kenë mbështetje. I bëj thirrje bizneseve dhe punëtorët që të bëhet kjo rritje e pagës. Dhe ne do të mbështesim për tre muajt e ardhshëm. Sa i përket studentëve, ne do të iu njoftojmë ditëve në vijim sa i përket formularit të aplikimit. Do t’i mbështesim qytetarët”, tha ai në një konferencë për media.

Murati flet për planin për subvencionim të faturave të energjisë, bazuar në kursimin që bëhet

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, në një konferencë për media kanë treguar për planin për subvencionim të energjisë elektrike, me të cilën një pjesë e faturës do të subvencionohet, në bazë të asaj se sa kursejnë qytetarët energji, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Subvencionimi bëhet për secilin që kursen dhe shpenzon më pak energji sesa muajin e njëjtë të vitit të kaluar. 

Për shembull, nëse një familje ka shpenzuar 1000 kilowat në orë shtatorin e vitit të kaluar, ndërsa për këtë muaj hargjon 900 kw për orë, parashihet se ka pas reduktim 10 përqind, për këtë përqindje do ta mbështesim në subvencionimin e faturës në vlerë prej 20 përqind”, ka thënë Murati.

“Ta shfrytëzojnë këtë masë dhe të përfitojmë”, shtoi ai, duke bërë thirrje për kursim të energjisë.

Prezentohet pakoja e re/ Zyrtarët publik nga shtatori do të marrin nga 50 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë.

Kurse, ka treguar se do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro edhe për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Këto i bëri të ditura pasi prezentoi pakon e re financiare përmes së cilës tha se Qeveria po mundohet t’u ndihmojë qytetarëve për të përballur më lehtë inflacionin.

“Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë. Do të subvencionohet dyfish fatura, për muajt në të cilët qytetarët do të shpenzojnë më pak se në muajt e njëjtë të vitit të shkuar. Po ashtu se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka thënë se do t’i mbështesin edhe biznest që rrisin pagat e punëtorëve “duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”.

Në nëntor pritet të ndahen edhe nga 100 euro për studentët.

“Do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion”, ka thënë Kurti.

Kurti prezanton pakon për përballjen me inflacion, do të mbështeten këto kategori

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një konference për media ka prezantuar pakon për përballjen me inflacion.

Ai ka bërë të ditur se do të subvencionohen të gjithë ata që kursejnë energji elektrike.

“Do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energji elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ne do të subvencionojnë dyfish faturën”, tha ai.

Gjithashtu tha se do të procedohet për miratin projektligjin për punë publike,.

“Do të procedojmë në qeveri e pastaj në kuvend për miratin projektligjin për punë publike, e cila parasheh kompenzimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punës përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës, kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së impementimit të projekteve kapitale”, tha Kurti.

Ai tregoi edhe mbështetjen që do t’u jepet pensionistëve dhe familjeve në asistencë sociale.

“Për pensionitët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 eurove, kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, tha kryeministri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat