Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti e bëri deklaratën e sotme për mërgimtarët që punojnë si punëtorë krahu në Gjermani, meqë sondazhet tregojnë se ka rënë përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje në diasporë.
Sipas saj, Kurti e ka parë diasporën vetëm si votë që e përdorë kur i nevojitet dhe pastaj e braktis.
“Albin Kurti i ka parë sondazhet e njëjta nga diaspora që i kemi parë edhe ne. Prandaj, ai sot i ofendoi bashkatdhetarët tonë në diasporë duke i quajtur analfabetë. Edhe PDK-ja ka pasur në zgjedhjet e kaluara rënie votash në diasporë, por ne asnjëherë nuk i kemi ofenduar e përbuzur bashkatdhetarët tonë.
Vetë themeluesit e partisë sonë e kanë ngjizur aktivitetin e tyre për çlirimin e Kosovës në diasporë, në mesin e bashkatdhetarëve tonë. Prandaj, duke e respektuar diasporën, ne e kemi respektuar historinë tonë. Pavarësisht se si voton diaspora. Sepse ne diasporën nuk e shohim si votë, por si aset kombëtar. Albini e ka parë diasporën vetëm si votë që e përdor vetëm kur i nevojitet dhe pastaj e braktis”, ka shkruar Çitaku.