​AKK: Kurti të kërkojë falje për ofendimin që iu bëri kryetarëve të komunave

Aktuale

​AKK: Kurti të kërkojë falje për ofendimin që iu bëri kryetarëve të komunave

Më: 3 shtator 2022 Në ora: 20:54
AAK

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti t’iu kërkojë falje kryetarëve të Komunave, pas deklarimeve të tij se "bojkoti që të mos dorëzohen listat, s’është thjesht politikë antiqeveritare, por politikë antishtetërore".

AKK konsideron se qasja e kryeministrit Kurti është e gabuar dhe si e tillë po e polarizon pa nevojë shoqërinë, pasi që punëdhënës i punëtorëve komunalë është komuna dhe jo Qeveria, ndërsa Ministria e Financave vetëm procedon pagesat sepse vendimmarrës për buxhetet komunale janë vetë komunat.

“Si mund të bëjnë politikë antishtetërore kryetarët e Komunave ku secili nga ata ka një veprimtari të begatë në shërbim të atdheut dhe kombit me dekada të tëra e që shumë nga ata edhe luftëtar lirie si dhe familjar dëshmorësh që kanë derdhur gjakun për shtetin e Kosovës. Me gjithë këtë kontribut të kryetarëve, është fyerje t'i cilësosh kryetarët e Komunave si antishtet të Kosovës”, thuhet në reagim.

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se kryetarët e Komunave kanë sakrifikuar shumë për shtetin, duke mos kursyer asgjë, akuzat e kryeministrit Kurti janë të pabaza dhe pa logjikë.

“Kryetarët e Komunave vetëm po kërkojnë ligjshmëri dhe funksionim të ndarë mes niveleve të qeverisjes në Kosovës në harmoni me Kushtetutën. Prandaj, kryeministër Kurti e ke obligim moral dhe institucional t'u kërkosh falje kryetarëve të Komunave dhe mos të nxitësh edhe situata tjera për të cilat Kryetarët nuk kanë asnjë përgjegjësi”, përfundon reagimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat