Protestohet sërish për rastin e 11-vjeçares, kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Kujtim Munishi

Aktuale

Protestohet sërish për rastin e 11-vjeçares, kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Kujtim Munishi

Më: 5 shtator 2022 Në ora: 14:40
Protesta

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, për herë të dytë ka organizuar protestën për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje.

"Gra armatosuni", "Krejt vajzat e gratë kah një sprej n ‘çantë", ishin disa nga thirrjet e pjesëmarrësve, të cilët nga qeveria kanë protestuar në drejtim të Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial.

Nga qeveria u kërkua që të pozicionohet dhe zbatojë kërkesat e tyre, ndërsa nga Këshilli Prokurorial me urgjencë u kërkua shkarkimi i kryeprokurorit Kujtim Munishi.

Fjolla Muçaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, deklaroi se do të qëndrojnë të bashkuara deri në zbatimin e kërkesave të tyre.

Muçaj: Kjo qeveri duhet dhënë llogari

“Ky shtet dhe kjo qeveri duhet dhënë llogari dhe përfundimisht të na tregojë se ku është duke u pozicionuar. Në mënyrë të menjëhershme kjo mund të bëhet duke filluar me zbatimin e kërkesave tona si pikënisje e ndërrimit të kahjes së shtetit ndaj trajtimit të sigurisë së vajzave. Kërkesat tona janë këto: legalizimin e përdorimit të gazit irritues. Shkarkimin e zyrtarëve policorë, përgjegjës për përdhunimin e të miturës. Krijimin e një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në polici. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, përfshirë këtu edhe këshillimin psikologjik të vazhdueshëm të së miturës 11- vjeçare të ofruar nga shteti”, ka thënë ai.

Kërkesë e aktivistëve ka qenë edhe futja e lëndës së edukatës seksuale në shkolla, përfshirë edhe në qendrat korrektuese.

Muçaj: Ministri Murati të krijojë komision hetues për dhunimin e të miturës

“I gjithë ky proces nuk mund të tejkalohet lehtë, nëse ministri i Financave, Hekuran Murati nuk i merr përgjegjësitë për të cilët i takojnë. E kjo është të krijojë një komision hetues për përdhunimin e të miturës, i cili zhvillon punime publikisht dhe publikon konkluzionet, rekomandimet e tij. Ne do të qëndrojmë të bashkuara, e të revoltuara derisa kërkesat tona të zbatohen. Derisa ky shtet të zotohet dhe t’i dalë në mbrojtje secilës vajzë e grua në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Aktivistë e qytetarë kanë vazhduar protestën para objektit të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, ku kërkuan shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi.

Aktivistja Bjeshkë Guri tha se prokuroria ka dështuar të ofrojë drejtësi në rastin e të miturës.

Guri: Kërkojmë urgjentisht shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi

“Kjo na tregon se prokuroria dhe përkatësisht KPK, është duke dështuar të krijojë obligimet që i takojnë dhe është bashkëfajtor në dhunimin e grave... Na alarmon për raste të tjera, të ngjashme që mund të jenë duke ndodhur e për të cilat ne nuk kemi informata. Precedenti i fundit tregon që kur rastet nuk bëhen publike, prokuroria është neglizhuese. Për të marrë përgjegjësi mbi rastin dhe për të krijuar kulturë të ndëshkimit të prokurorëve neglizhent, gjë të cilën KPK nuk është duke e bërë, ne kërkojmë urgjentisht shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi”, ka deklaruar ajo.

Në shenjë revolte e rezistence, është kërkuar nga protestuesit që të ulen para KPK-së deri në shkarkimin e Munishit.

Një javë më parë, një 11-vjeçare dyshohet se u dhunua seksualisht nga pesë persona. Në mesin e tyre ka edhe të mitur dhe të njëjtit janë në paraburgim për 30 ditë. Po ashtu, për të miturën është raportuar në polici si e zhdukur në muajin qershor. Më 1 shtator janë arrestuar gjashtë persona të tjerë, si të dyshuar për trafikim dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat